Projekti transformues i Sheshit të Flamurit në Vlorë/ Vlerësim i elementëve historikë, qendër digjitale edhe për të rinjtë

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ “Rikonceptimi i Sheshit të Flamurit, qëllim themelor ka jo vetëm ruajtjen, por vlerësimin sa më shumë të atyre elementëve historikë të sheshit”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedim me qytetarë në Vlorë.

Rama sqaroi elementët historik të këtij sheshi, që me përfundimin e këtij investimi do të nxjerrin më në pah vlerat që mbartin.

“Sigurisht është pjesa e trashëgimisë në ato godina që i takojnë një periudhe historike përpara luftës, është pjesa që ka të bëjë me atë zonën arkeologjike në shesh, është pjesa që ka të bëjë me varrin e Ismail Qemalit, me monumentin e pavarësisë dhe me varrezat e dëshmorë që janë në anën tjetër dhe që me këtë formatim ekzistues të sheshit janë pak të spostuar nga pjesëmarrja si duhet në atë kompleks dhe është edhe ai instalimi aty i atyre 4 topave të famshëm të 4 vilajeteve”.

Ai tha se, “projekti i ri jo vetëm që i ruan, por edhe i nxjerr në pah më bukur duke shtuar edhe të tjerë elementë që nga tapeti i kuq i gurit apo i mermerit tek ai tempulli aty që do shërbejë edhe si një strehë për aktivitete të ndryshme por edhe si një zonë për të pasur në fundjave sic e kanë shumë qendrat historike të Europës atë tregun e produkteve të zonës që hapet në fundjavë dhe më pas largohet”.

“Sigurisht që që do të pasurohet edhe me një element tjetër që deri sot ka qenë problem më i madh i atij sheshi, që është ajo karabinaja e Sulos të cilën ne e kemi future në procedurë shpronësimi për të prerë kullën që do të asgjësohet dhe për të transformuar të gjithë pjesën tjetër që është pjesa tre katëshe, në një qendër publike e cila do të ketë funksione të ndryshme duke ju ofruar hapësira të gjitha moshave me një bërthamë të rrjetit që ne kemi filluar të ngrejmë, duke filluar nga Tirana, Korça do ta fillojë së shpejti, të inovacionit digjital që do t’i shërbejë të rinjve për të marrë kurse intensive të praktikave digjitale, për të mësuar kodimin rrugët se si mund të përfshihen në tregun global të punës online gjë që është e ardhmja për të rinjtë në aspektin e punësimit ku krijohet mundësia pa lëvizur nga vendi, nga qyteti apo fshati ku je. Mjafton të kesh akses në internet dhe ti vetëpunësohesh duke dhënë shërbime për të tretët në një treg që sot që flasim ka 2.4 milionë vende të lira pune për të gjithë të rinjtë e globit që duhan të përfshihen dhe që zotërojnë këtë aftësi”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se “aty do të ketë edhe hapësira të tjera për kulturën artin, për të moshuarit, për shërbime publike dhe sigurisht jo më pak e rëndësishme mënyra se si do të rikonceptohet ajo godinë që do të mbetet do të krijojë mundësinë për të krijuar më shumë hapësira të brendshme dhe lidhje me pikat e tjera nga sheshi për të dalë në anën tjetër dhe jo vetëm atë rrugicën e qendrës historike”.

“Më kujtohet kur ne bëmë Lungomaren pati shumë debate, polemika, kundërshti dhe faktikisht sot Lungomare është një hapësirë që ka konsensus të plotë që është gjëja e duhur kështu do të jetë edhe Sheshi i Flamurit”, deklaroi Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.