Pandemia/ Bushati: Masa në mbështetje të familjeve shqiptare dhe biznesit

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati deklaroi sot se “qeveria ka marrë një sërë masash për të mbështetur familjet dhe bizneset e goditura nga pandemia”.

I ftuar në një studio televizive, Bushati tha se “ky ka qenë një vit shumë i vështirë për Shqipërinë, pasi u kombinuan pasojat e tërmetit dhe pandemia”.

“Ne jemi shumë të përgjegjshëm për atë që bëjmë, ndaj gjithçka që ndodh dhe bëjmë është për të ulur sadopak efektet e pandemisë. Askush nuk e dinte apo ta parashikonte marsin e kaluar se pandemia do të zgjaste kaq gjatë e dëmi do të ishte kaq i madh në ekonominë globale. Ndaj gjithë masat, investimet që janë marrë nga qeveria janë për të minimizuar sado pak humbjet e  njerëzve dhe ta bëjnë sa më të lehtë dhimbjen e qytetarëve për të ndihmuar në hapjen e shoqërisë dhe për të ndihmuar ekonominë”, tha Bushati.

Ai tha se “të gjitha këto nisma bashkë janë marrë me fokusin kryesor qytetarin dhe shoqërinë shqiptare”.

“Nuk mund të thuhet se janë masa elektorale se ne kemi marrë shumë masa, kemi miratuar shumë ligje, kemi ecur shumë me investimet, aq më tepër që sot një forcë politike çdo dy vjet është në zgjedhje, nuk mund të thuash se ndodh për zgjedhjet”, tha Bushati.

Ai mohoi faktin se masat e marra nga qeveria përfshirë edhe atë për dyfishimin e ndihmës ekonomike bëhet për qëllime elektorale. “Jo, nuk ka prapavijë elektorale. Dyfishimi i ndihmës ekonomike bëhet për të amortizuar sadopak situatën dhe për të qenë në krah të familjeve shqiptare, ndërkohë në mbështetje të biznesit janë marrë një sërë masash. Kjo është puna jonë. Kjo është bërë edhe para 1 viti apo 1 viti e gjysmë, nuk kushtëzohet nga zgjedhjet, se jemi shumë më të përgjegjshëm dhe merremi me jetët e njerëzve”, tha ai.

Ndërkohë, spas Bushatit, “opozita ka humbur sensin e realitetit dhe premton ulje çmimesh në treg dhe nga ana tjetër premton edhe ulje të taksave”./m.m/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.