Gara për Tunelin i Llogorasë mbyllet këto ditë/ Së shpejti nisin punimet

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, këto ditë mbyllet gara për tunelin e Llogorasë, dhe do të fillojë puna shumë shpejt.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në Vlorë, i pyetur për investimet në Orikum, Rama u shpreh se, “nëse shohim sot Lungomaren dhe vazhdojmë rrugën, shkojmë tek tuneli kalojmë dhe dalim në Orikum, kuptojmë që kjo pjesë është si mandatet deri këtu, ajo pjesë është pse duhet mandati tjetër. Është atje, është e dukshme, domethënë do ta vazhdojmë apo s’do ta vazhdojmë”.

“Ne po ecim ndërkohë me pjesën e rrugës për të shkuar deri në Orikum pastaj kemi rrugën Orikum-Llogora, që është tjetër kantier”, tha Rama.

“Tuneli i Llogorasë, gara mbyllet këto ditë dhe do të fillojë puna edhe atje shumë shpejt sapo të lidhet kontrata me fituesin. Gara është ndërkombëtare, ka shumë kompani që janë interesuar”, tha Rama.

Rama u shpreh se, “nuk është çështja e mandatit të tretë, çështja është e betejave, që janë në mes. Çështja është e punës që është në mes”.

Mos harrojmë dhe një gjë tjetër, theksoi Rama, “që ky mandat që po mbyllet ka qenë mandat komplet atipik, se gjysmën e këtij mandati neve erdhi dhe na e hëngri tërmeti dhe na spostoi një pjesë të madhe të vëmendjes, të energjive, por edhe të financave. Plus flama tjetër pandemia dhe kështu shumë punë u ngadalësuan”.

“Unë kam një besim të jashtëzakonshëm tek fakti që Vlora është e krijuar për të qenë një nga motorët më të fuqishëm të perspektivës së këtij vendi. Vlora ka potencialin që të transformohet në një fuqi, që jo vetëm për vete, jo vetëm për vlonjatët, por për gjithë ekonominë e vendit të ketë një influencë të madhe. Po si? Duke i vënë në dispozicion të gjithë këto mekanizma”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se falë investimeve si Lungomare është rritur vlera e pronës në Vlorë.

“Po shihja dje shifrat e biznesit, vetëm tek pjesa e Lungomares. Për ata që thonë hë mo se zbukurime, fasada. Jo fare. Dhe është e habitshme të shohësh diferencën. Sa ishte prona atje, dhe jo vetëm atje, por edhe më gjerë? Sa blihej një apartament në Vlorë para 7 vjetësh dhe sa blihet sot. Dhe të japësh lekët, hajde ta blesh se s’ta japin”, tha Rama.

Rama u shpreh se ka shumë të huaj që kanë filluar të blejnë apartamente në Vlorë, duke treguar rastin enjë doktori amerikan që pasi vizitoi Vlorën vendosi të blejë apartament. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.