Fillimi i aeroportit, garancia më e madhe për rritjen e investimeve në Vlorë

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, fillimi i aeroportit do të jetë garancia më e madhe për rritjen e investimeve në Vlorë.

Në një bashkëbisedim me qytetarë në Vlorë, Rama u shpreh se, “kur unë thosha në fillim që këtu, çmimet do të kërcejnë dhe vlonajtët në këtë zonë do të kenë një rritje, krejt të papritur të pasurisë së tyre, thonin ‘eh, futja kot’. Ky është fakt”.

“Po ju them sot nuk do të duhen 40 vjet, do të duhet vetëm të largohet kjo flama pandemia, te hapet turizmi komplet. Do të duhet pas largimit dhe hapjes disa vite dhe unë po ju them që Kumja që shikoni aty që është një zonë, që as nuk mund t’i shkojë mendja njeriu, që mund të jetë një zonë ku të nxjerrësh lekë. Kumja me infrastrukturën që po bëhet sot dhe me përmirësimin e thjeshtë të kushteve të shtëpive aty do të jetë një nga vendet ku në sezonin e verës shtëpitë do të jenë plot me turistë. Siç ndodhte dhe ndodh tani në Korfuz. Kur filloi Korfuzi u bë aeroporti, filloi infrastruktura, filloi ajo. Nuk i shkonte njeriu ndërmend çfarë do ndodhte. Vlora do të ketë po atë rrugë dhe gjithë pjesa poshtë qytetit, sidomos nëpër këto lagjet që janë si Kumja. Kumja është informale, një infromalitet total aty, por janë shtëpia. Shtëpia me oborre, me tjegulla dhe me infrastrukturën që po bëjmë do të jenë të ardhura për njerëzit”, u shpreh Rama.

“Pa llogaritur pastaj hotelet. Ne po shohim në vazhdimësi projektet e hoteleve që po vijnë për t’u ndërtuar këtu. Flas për zonën deri në Llogora, nuk po flas përtej. Është qartësisht një perspektivë konkrete, nuk është më muhabete”, tha Rama.

Rama theksoi se, “fillimi i aeroportit do të jetë garancia më e madhe për rritjen e investimeve, sepse dhe investitorët, jo shqiptarë, por të huaj thonë. Ka aeroport? Po do ta bëjmë aeroportin. E mirë kur të fillojë aeroporti ne do të rikthehemi sepse duan ta shohin që filloi që po bëhet, nuk është një muhabet që do ta bëjmë. Dhe të jeni të bindur që këto që po them do jenë fakte konkrete shumë më shpejt sesa ç’duket sot”. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.