“140 shtete ende pa asnjë dozë”/ Rama: Brenda marsit do jetë vaksinuar çdo mjek e infermier, vijojmë me +80-vjeçarët

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se, “brenda marsit do jetë vaksinuar çdo mjek e infermier, si edhe do jemi duke vijuar vaksinimin e +80 vjeçarëve, ndërkohë që jemi optimistë për marrjen njëkohësisht të sasive të tjera për të rritur numrin e vaksinimeve”.
“140 shtete, ndër të cilat edhe shtete të rajonit tonë, nuk kanë marrë ende asnjë dozë vaksine, ndërkohë që ne vazhdojmë vaksinimin e bluzave të bardha dhe të të moshuarve në shtëpitë e kujdesit shtetëror, si edhe personelit në shërbim të tyre”, tha Rama.
Ndërsa ndau foto nga procesi i vaksinimit në Vlorë e Fier, Kryeministri tha se, “është fatkeqësi e madhe e këtij vendi helmi që prodhohet pa ndalim e as turp, nga ata që e bëjnë përditë e më të ndjeshme mungesën e një vaksine kundër tërbimit të njeriut”.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.