SHBA – CNN: Mbi dy milionë banorë në Teksas ende pa energji elektrike

HJUSTON, 18 shkurt /ATSH-ANSA/ – Miliona banorë në Teksas vazhdojnë të jenë pa energji elektrike për shkak të stuhisë dhe të ftohtit të acartë që ka goditur pjesën më të madhe të SHBA-së, duke vrarë të paktën 21 njerëz, sipas raportimeve nga CNN.

Ndërprerja e energjisë në Teksas ka prekur rreth 2,3 milionë persona dhe pothuajse 300 000 shtëpi nuk po furnizohen me ujë të pijshëm.

Shtatë milionë teksanëve u është kërkuar ta ziejnë ujin përpara se ta pijnë ose ta përdorin për gatim.

Në Hjuston, qindra shtëpi u prekën gjithashtu nga një rënie e presionit të ujit, ndaj kryetari i bashkisë, Sylvester Turner, i bëri thirrje popullsisë që të mos lejojë rrjedhjen e tij nëpër çezma, për të parandaluar shpërthimin e tubave./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.