Ndërtimi i Spitalit Rajonal Memorial të Fierit/ Përjashtohen nga detyrimet doganore e taksat materialet e importuara nga Turqia

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Komisioni i Kuvendit për Ekonominë dhe Financën miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, mbi dhurimin në fushën e shëndetësisë”, që synon përjashtimin nga detyrimet doganore e taksat e tjera, të të gjitha materialeve të importuar nga Turqia, që nevojitem për ndërtimin e spitalit të ri rajonal, në Fier, që është donacion nga qeveria turke.

E pranishme në mbledhjen e komisionit, gjatë diskutimit të këtij pr.ligji zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njëkohësisht dhe kryetare e Komitetit Teknik të Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se, “qeveria turke ka marr përsipër të ndërtojë në Fier, një spital rajonal bashkëkohor me 150 shtretër dhe ta pajisin atë me të gjitha aparaturat dhe materialet e nevojshme, duke e shndërruar këtë spital në pol të rëndësishëm shëndetësor që i shërben të gjithë qytetarëve të zonës së jugut e më gjerë”.

Ky donacion jepet nga pala turke në mënyrë që të forcojë sistemin shëndetësor
shqiptar dhe të mbështesë infrastrukturën e kujdesit shëndetësor. Në këtë kontekst, Republika e Turqisë do të caktojë personelin e kujdesit shëndetësor në spitalin e ri Fier, i cili është një investim tepër i rëndësishëm në fushën e shëndetësisë dhe do të ofrojë shërbim spitalor të kualifikuar dhe me një teknologji të lartë mjekësore për të gjithë rajonin e jugut.

Rakacolli theksoi, “ky investim rrok misionin kryesor të qeverisë shqiptare për mbrojtjen dhe kujdesin e qytetarëve dhe pasoj projektin për ngritjen e 300 qendrave të reja shëndetësore në të gjithë vendin, me qëllim që të sjellë sa më pranë qytetarit në çdo skaj të vendit, shërbimin dhe kujdesin shëndetësor cilësor”.

Sipas saj, angazhimi i qeverisë turke për të përfunduar ndërtimin e këtij spitali në një
kohë rekord prej 3 muajsh kërkon edhe angazhimin e qeverisë shqiptare për të lehtësuar të gjitha procedurat për kompaninë e kontraktuar nga pala turke për ndërtimin dhe mobilimin e spitalit të ri të Fierit.

Rakacolli tha se, “palët bien dakord të sigurojnë të gjitha llojet e përjashtimeve nga taksat dhe tarifat dhe të lehtësojnë nga të gjitha procedurat doganore, të importit dhe
taksimit gjatë transferimit nga Turqia në Shqipëri të gjitha llojet e pajisjeve
mjekësore, pajisjeve, orendive dhe materialeve të ndërtimit”.

Përmes këtij pr/ligji theksoi ajo, “parashikohet që furnizimi brenda Shqipërisë përmes prokurimit të mallrave dhe shërbimeve për ndërtimin dhe funksionimin deri në datën e dhurimit të spitalit nga pala turke për palën shqiptare, përjashtohet nga taksa e vlerës së shtuar TVSH”.

“Mallrat, materialet dhe pajisjet e importuara nga pala turke për ndërtimin dhe
funksionimin e spitalit gjithashtu përjashtohen nga detyrimet doganore/taksat e
tjera dhe TVSH-ja për importet”- tha Rakacolli.

Gjithashtu vuri në dukje ajo, qeveria shqiptare do të lehtësojë procedurat e nevojshme të lejes, licencës etj.

Ky spital do të jetë një shembull i sistemit shëndetësor dhe një qendër e transferimit të teknologjisë dhe dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar.

Administrimi i spitalit, me mbarimin e punimeve, do të kryhet në çdo pavijon prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë, të cilët do të punojnë krah për krah ekspertëve turq, për ta marrë më pas të gjithë përgjegjësinë. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.