GREQI – Transporti publik ende me probleme pas temperaturave – 24,8 °C

ATHINË, 18 shkurt /ATSH-ANA/ – Autobusët dhe trenat në Athinë vazhduan të përballen me probleme në disa zona për shkak të motit të keq dhe dëborës së madhe që ra në kryeqytet të martën.

Zonat në periferi të qytetit, të tilla si Kifissia, Penteli, Acharnes, Thrakomakedones dhe Fylis nuk kishin shërbime të plota të autobusëve për shkak të dëborës në rrugë dhe pemëve të rëna.

Sipas organizatës së transportit publik të Athinës, OASA, funksionimi normal i linjave të autobusëve dhe trameve po rikthehet gradualisht.

Ndërkohë, temperatura shumë të ulëta mbizotëruan në vend gjatë fazës së dytë të stuhisë “Medea”, sipas shërbimit të motit të Observatorit Kombëtar të Athinës, meteo.gr.

Temperatura më e ulët u regjistrua në Neos Kafkasos në Florina dhe ishte -24.8C. Qyteti i Ptolemaidas pasoi me -20,4, Kilada i Kozanit me -19,9, qyteti i Follorinës me -18,9 dhe qyteti i Grevenasë me -17,3./ ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.