Dita Ndërkombëtare e Sporteve Ushtarake/ Peleshi: Kampionët nuk ndalen

TIRANË, 18 shkurt /ATSH – I. Vata/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi kujton sot Ditën Ndërkombëtare të Sporteve Ushtarake.

Ai shprehet se sot, ndryshe nga vitet e tjera, Dita Ndërkombëtare e Sporteve Ushtarake na gjen këtë vit në një situatë të vështirë. Megjithëse në këto kohë me masa kufizuese shumë kanë hequr dorë nga sportet, këtë nuk e kanë bërë efektivët e Forcave të Armatosura.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi nëpërmjet një video me moton “Kampionët nuk ndalen”  ka dhënë mesazhin se efektivët e FA janë gjithmonë gati të përballojnë çdo sfidë, sado e vështirë të jetë ajo.

Me zhvillimin e sporteve ushtarake që mbulojnë disa disiplina, Forcat e Armatosura japin një kontribut të madh për ecurinë e sportit dhe kulturës sportive.

Më datë 18 shkurt që është edhe dita e CISM-it zhvillohet çdo vit një maratonë vrapi nga vendet anëtarë të kësaj organizate duke u kthyer në ditën ku ushtarakë dhe civilë vrapojnë së bashku në gjithë botën nën flamurin e sportit dhe paqes.

Në CISM (International Military Sport Council) Këshillin Ndërkombëtar të Sporteve marrin pjesë 136 vende pjesëmarrëse, midis tyre edhe Shqipëria. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.