Vaksinimi kundër COVID-19/ Rama: Këtë javë mbyllet procesi për 1 mijë persona në Shtëpitë e të Moshuarve

TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në një prononcim për mediet nga stadiumi “Air Albania” ku po vijon procesi i vaksinimit për mjekët dhe infermierët tha se do të vaksinohen edhe të moshuar që janë personalitete.

“Ishim përpara te Shtëpia e të Moshuarve në Tiranë. Të moshuarit që janë në kujdesin shtetëror në Shtëpitë e të Moshuarve plus stafi ka bërë një punë heroike sepse Shtëpitë e të Moshuarve kanë qenë pikat e tragjedive më kolektive në disa vende të Europës, si rezultat i hyrjes së virusit dhe ka pasur raste tragjike ku janë shuar të gjithë të moshuarit. Ndërkohë që këtu stafi është mbyllur bashkë me ta që ditën e parë, kanë jetuar brenda dhe duke bërë këtë sakrificë kemi shpëtuar jetët e këtyre të moshuarve”, tha Rama.

Ai theksoi se, “nuk kemi pasur asnjë humbje jete si rezultat i bllokimit dhe karantinimit total”.

“Kështu që për rreth 1 mijë persona vaksinimi do të përfundojë këtë javë, ndërkohë që po shtrihet në të gjithë rrjetin e bluzave të bardha. Këtu janë sot prezent mjekë, infermierë nga Durrësi, nga Mati, nga Bulqiza dhe ndërkohë nesër, në mos gabohem, do të jemi në Vlorë dhe vazhdojmë dhe në zonën poshtë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se, “do të vazhdojmë njëkohësisht këtu me një numër tjetër të moshuarish që janë personalitete, të cilët duhet t’i mbajmë me gjithçka mundemi sa më mirë dhe jo thjesht të kujtohemi kur pastaj ndahen nga jeta dhe mbajnë fjalime”.

Po ashtu, Rama informoi se presim nga dita në ditë të kemi një konfirmim të rëndësishëm për të finalizuar marrëveshjen për 360 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca”, një orë e më parë”.

“Mbrëmë kemi pasur një tjetër kontakt me një tjetër shtet mik në kuadrin e kontakteve që kemi vendosur me disa shtete dhe përsëri edhe aty kemi shumë shpresë realiste që do të kemi një sasi tjetër. Mbetemi shumë të bindur që skenari A i vaksinimit të të gjithë popullatës, atyre që duan të vaksinohen se nuk është me detyrim, të realizohet brenda 14 muajsh”, tha ai. /m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.