Titulli “Mjeshtër i Madh” për historianin dhe përkthyesin, Jorgji Qirjako

TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Presidenti Ilir Meta vlerësoi në 70-vjetorin e lindjes filologun, historianin dhe përkthyesin e shquar nga Kolonja, Jorgji Qirjako me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në vlerësim të veprës së palodhur e të çmuar si përkthyes veprash politike, shoqërore dhe letërsi artistike dhe të kontributeve të spikatura në ekspeditat arkeologjike, etnografike dhe folklorike në Kolonjë, duke i përfaqësuar me dinjitet dhe lartësuar vlerat e tyre të rrallë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Me mirënjohje për evidentimin e traditave atdhetare, kulturës popullore dhe figurave të shquara të historisë sonë kombëtare”.

Në fjalën e tij, Meta u shpreh se, “Qirjako vjen nga një krahinë me histori të lavdishme dhe të jashtëzakonshme, që ka nxjerrë shumë mendje të ndritura dhe figura të shquara për kombin tonë, si Petro Nini Luarasi, Fan Noli, Shahin Kolonja, motrat Qirjazi, Papa Kristo Negovani, Jani Vreto, Themistokli Gërmenji e shumë të tjerë, të cilët kanë luftuar me penë e me pushkë për mëmëdheun e tyre të dashur dhe janë sakrifikuar. Duke ndjekur traditat më të mira patriotike kolonjare, zoti Qirjako iu përkushtua promovimit të historisë dhe kulturës së vendlindjes së tij, qysh pas përfundimit të universitetit me rezultate të shkëlqyera”.

Për rreth 25 vjet, tha Meta, Qirjako udhëhoqi veprimtarinë kulturore dhe artistike në rrethin e Kolonjës, duke dhënë një kontribut të veçantë, në drejtimin dhe organizimin e ekspeditave arkeologjike, etnografike dhe folklorike, si dhe në përfaqësimin me dinjitet të grupeve përfaqësuese të Kolonjës në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Qirjako ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, veçanërisht në organizimin e Muzeut Historik të Kolonjës, duke e bërë atë një nga muzetë më të pasur me objekte arkeologjike, që nga lashtësia dhe me mjaft vepra të artistëve të njohur, si Odise Paskali, Janaq Paço, Thoma Thomai, Llazar Nikolla, Guri Madhi, Agim Nebiu e shumë të tjerë. Po ashtu, Muzeu i Kulturës Popullore, Muzeu i Arsimit në Rrethin e Kolonjës, si edhe Muzeu i Borovës kanë si hartues projekti zotin Qirjaqi, i cili, njëkohësisht, ka nxitur dhe mbështetur shumë artistë të shquar të vendit, të ngrenë shumë vepra përkujtimore në rrethin e Kolonjës”, vuri në dukje Presidenti.

Sipas tij, Qirjako ka një meritë të veçantë në evidentimin e traditave patriotike të kulturës popullore, si edhe të figurave të shquara të historisë sonë kombëtare, nëpërmjet studimeve të ndryshme, organizimit të sesioneve shkencore dhe si autor i disa botimeve monografike.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.