SHBA – Guterres: Nevojitet një plan global vaksinimi

NJU JORK, 17 shkurt /ATSH-DPA/ – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres bëri thirrje për “një plan global vaksinimi” kundër COVID-19 në një fjalim në Këshillin e Sigurimit të KB-së, duke e përshkruar shpërndarjen e deritanishme të tyre si gjerësisht të pabarabartë dhe të padrejtë.

“Mposhtja e COVID-19, tani që kemi aftësinë shkencore për ta bërë këtë, është më e rëndësishme se kurrë… por për momentin barazia në ndarjen e vaksinave është testi më i madh moral përpara bashkësisë ndërkombëtare”, vuri në dukje Guterres.

“Ne duhet të sigurojmë që të gjithë, kudo, të mund të vaksinohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi ai.

Ai i bëri thirrje G20-s për ngritjen e një task force që të hartojë dhe të marrë drejtimin për një plan global vaksinimi, që përfshin kontribute nga industria dhe partnerët ndihmës.

Guterres theksoi se një strategji globale e vaksinimit do t’u shërbente, gjithashtu, interesave të kombeve industriale./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.