Përzgjedhja e kandidatëve të 25 prillit/ Patozi: E turpshme çfarë po ndodh në oborrin e PD për një vend të sigurtë

TIRANË, 17 shkurt /ATSH – I. Vata/ “Çfarë po ndodh në oborrin e PD-së për një vend të sigurt është e turpshme”, deklaroi sot në një intervistë televizive, kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, ndërsa theksoi se kjo parti hyn në zgjedhje me lista të hapura.

Në lidhje me përzgjedhjen e kandidatëve  për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit, Patozi u shpreh se diferenca me partitë e vjetra, siç tha ai, është botëkuptimore dhe konceptuale.

“Ne listat tona po i mbushim me personalitete të reja politike, por dhe prurje të ardhura rishtas, intelektualë, pedagogë që duan të angazhohen në politikë për të sjellë një ndryshim. Dhe diferenca mes nesh dhe partive të vjetra nuk është thjesht te CV, por te fakti se ne do të kandidojnë me lista të hapura. Secili kandidat është i barabartë me tjetrin dhe nuk ka hierarki dhe kjo na dallon me kundërshtarët politikë”, tha Patozi, duke shtuar se në partitë e mëdha, kryetari vendos për të gjitha.

“Ne kemi krejt e kundërta. Ne kemi edhe njerëz që janë vetëofruar por kemi edhe njerëz që i kemi kërkuar të na ofrohen. Procesi i rekrutimit të kandidaturave tona është krejtësisht i ndryshëm me partitë e vjetra. Mjafton të shikoni se çfarë po ndodh në oborrin e PD-së për një vend të sigurt. Edhe raporti i tyre me aleatët është i shëmtuar dhe është për t’u refuzuar”, theksoi ai.

Ndërsa, Myslym Murrizi i Partisë Lëvizja Demokratike Shqiptare u shpreh se është fokusuar në mospasjen në listë të kandidatëve që mbajnë ngarkesën e negativitetin të pushtetit, të paktën në 16 vitet e fundit.

“Nuk kam të drejtë të paragjykoj asnjë forcë politike sa kohë që nuk ka lista të emrave konkretë. Ne jemi vend sovran, Kushtetuta e sanksionon qartë kush kandidon e kush jo”, komentoi Murrizi thirrjet e ndërkombëtarëve për moskandidimin e personave me të shkuar kriminale.

Fushata e 25 prillit e cila do zhvillohet në kushtet e jashtëzakonshme të pandemisë shihet me optimizëm nga partitë e reja.

“Është një fushatë tipike e asaj që duhet të jetë fushata. Unë gjithmonë kam thënë që nuk ia dua votën atij që si kam dhënë dorën. Shpresoj shumë që të jetë fushatë funksionale, frenon milionat e eurove të përdorura në fushatë duke demonstruar në tubime elektorale forcën fiktive me paratë e qytetarëve”, tha Murrizi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.