Mësimi online/ Mirënjohje për angazhimin e nxënësve e mësuesve dhe sakrificën e prindërve

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi shprehu sot falënderim e mirënjohje për angazhimin e deritanishëm të nxënësve e mësuesve, si dhe sakrificën e prindërve gjatë mësimit online.

Kushi publikoi foto gjatë zhvillimit të mësimit “online”, i cili përgjatë kësaj jave do të zhvillohet sipas këtij formati nga të gjithë nxënësit e shkollave të arsimit parauniversitar.

“Momente nga zhvillimi i mësimit “online” gjatë këtyre ditëve, për të cilin falënderoj të gjithë nxënësit dhe mësuesit e angazhuar duke përdorur platformën “Akademi.al”, kanalin e dedikuar “RTSH Shkollë” dhe kanalin “YouTube” të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë”, theksoi Kushi.

Njëkohësisht, Kushi shprehu mirënjohje edhe për çdo prind për sakrificën e treguar në një kohë të tillë që kërkon shumë durim dhe mirëkuptim.

Për shkak të motit të keq që ka përfshirë vendin, ministrja e Arsimit, Evis Kushi njoftoi më 13 shkurt se të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar do të mbyllen dhe mësimi do të zhvillohet online.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, vendosi kalimin në skenarin e tretë të mësimit online për javën nga data 15 deri në 19 shkurt 2021. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.