Arrestimi i gjyqtares/ Ibrahimi: Kemi ndërtuar një sistem që ka potencialin të godas penalisht në nivelet më të larta të drejtimit të shtetit

TIRANË, 17 shkurt /ATSH – I. Vata/ Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi deklaroi sot në një intervistë televizive se suksesi i prokurorisë do të jetë atëherë kur të marrë vendim gjykata për arrestimin e gjyqtares.

Mbi arrestimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha së bashku me sekretaren dhe njëkohësisht avokatin Aldo Tabaku tha se, “një hetim penal, i fortë, i cili përfundon në një mënyrë spektakolare. Natyrisht, unë nuk jam nga ata që ngutem për të folur për rezultatet ndaj duhet pritur deri në fund. Suksesi i prokurorisë do të jetë në fund, kur të marrim vendimin e gjykatës. Është e vërtetë që shpesh gjykatat kanë një pozicion frenues në raport me nismat e prokurorisë, por nuk ka asgjë të keqe në këtë pikë. Kjo është natyra e këtij procesi, ku njëra palë, prokuroria është në aksion, në hetim dhe pala tjetër, gjykata, është në një përpjekje për të dhënë garanci maksimale subjekteve të procedimeve penale. Kështu që, nuk ka ndonjë çudi në rast se gjykata priret të jetë më doreshtrënguar, më e kufizuar në gjykimet e saj në raport me prokurorinë. Por, sidoqoftë, verdiktin përfundimtarë në lidhje me suksesin apo dështimin e prokurorisë, e jep vendimi i gjykatës. Ndaj dhe duhet të presim. Por, padyshim ky është një vendim i rëndësishëm, një vendim që tregon potencialin e një institucioni të ri dhe jetik për shoqërinë tonë, i cili është SPAK-u”.

Në lidhje me pyetjen se a e konsideron këtë si arritjen më të madhe të SPAK-ut deri tani, Ibrahimi tha se, “për fat të keq, po. Them për fat të keq, sepse SPAK është ndërtuar për të prodhuar shumë histori të tilla”.

“Në vende si Rumania për shembull, SPAK ka qenë një përditshmëri, në jetën shoqërore e publike të atij vendi, për shkak të goditjeve të një rëndësie të madhe në radhët e funksionarëve të lartë, qoftë të atij politik, qoftë të atij politik. Ne ende nuk kemi parë ndërhyrje të tilla dhe në këtë kuptim them që kjo ishte ndoshta, goditja më e rëndësishme që ka realizuar SPAK deri më tani. Të kuptohemi drejt, SPAK është ende në një fazë latent. SPAK ende nuk ka dhënë produktin për të cilin të gjithë ne jemi të interesuar dhe e presim prej shumë kohësh. Do të duhej një ndërhyrje në ligjin e Procedurës Penale, në një mënyrë që SPAK të çlirohet nga detyra për të hetuar çështje të një rëndësie të vogël. SPAK duhet të merret me çështje të një rëndësie të madhe. Edhe korrupsioni, është i rëndësishëm kur ai konsumohet nga funksionarë të lartë, në rast se konsumohet nga funksionarë të një niveli të ulët nuk ka asnjë vështirësi për t’u hetuar nga një prokuror qoftë edhe periferik. Do të ishte një lëvizje e rëndësishme kjo. Edhe ngarkesa kalimtare e kohëve të fundit, kishte të bënte me ligjin e Sekuestrimit të Pasurive të personave të përfshirë në krime, i cili skadoi tani në fund të vitit, kanë qenë disa ngarkesa sasiore, të cilat besoj se kanë ndikuar në cilësinë e punës së SPAK”, tha ai.

Në lidhje me gjyqtaren që përmendëm edhe pak më parë, ka pasur një vëmendje shumë të madhe mediatike, ka pasur reagim të Ambasadores amerikane, reagim të Kryeministrit. Mos duhet të kishte një hetim të mëparshëm, të kësaj gjyqtareje, Ibrahimi tha se një çështje të cilës me takon t’i jap përgjigje herë pas here, është ai hendeku, nëse mund të përdor këtë fjalë, mes pritshmërive të publikut dhe rezultateve të punës së sistemit të drejtësisë. Jo se nuk ka një hendek, i cili duhet adresuar si problem, por ky hendek, në një farë mënyre, do të ekzistojë gjithmonë, sepse opinioni publik ndërtohet mbi bazën e fakteve të përcjella, mbi bazën e komunikimeve mediatike, midis aktorëve të ndryshëm… Dhe në këtë kuptim është i cekët. Kurse përfundimet e procesit gjyqësor, përfundimet e procesit ligjor në përgjithësi, nuk mund të jenë veçse fakte të konfirmuara. Në këtë kuptim, një fakt publik, që unë dhe ti e dimë dhe i referohemi në bidesa të ndryshme, për të arritur në një përfundim të mëtejshëm, nuk ka atë vlerë që ka për ne të dy aq sa ka për procesin ligjor. Ai fakt, do të duhet të konfirmohet në shumë mënyra, përpara se të marri vlerën e një prove në porokurori. Për këtë arsye, hendeku midis pritshëmrive të publikut dhe rezultatit të punës së sistemit të drejtësisë, në një farë mase, është i natyrshëm, por ne duhet të shqetësohemi në ato raste kur ky hendek është më i madh nga ç’do të duhej të ishte”, tha ai.

Në lidhje me pyetje a qenë gjithnjë shumë i drejtë procesi i Vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët, Ibrahimi u shpreh se, “unë do ta filloj me një fjali që të evitoj çdo lloj keqkuptimi, sepse unë personalisht, shpeshherë jam keqkuptuar. Vetingu dhe rezultatet e tij janë një nga arritjet më të mëdha shoqërore dhe politike për Shqipërinë e pas viteve ’90”.

Në lidhje se si e ka lexuar vendimin e Gjykatës së Strasburgut, Ibrahimi u shpreh se e kishte parë si një konfirmim madhor dhe të shumëpritur të formulës së Vetingut. “Formula e Vetting-ut është një zgjidhje Kushtetuese, sa i takon parashikimeve në Kushtetutën Shqiptare, është një zgjidhje që është në linjë me parimet dhe normat e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Vetingu si sistem, e konfirmoi. Ky është një lajm i madh, për të gjithë ne, për të gjithë shqiptarët. Padyshim që mund të ketë edhe raste individuale ku gjykatat arrijnë në gjykime individuale sërish. Aty-këtu pa pasur zbehje të standardeve të parashikuara nga konventa. Por, në përgjithësi Vetting-u si sistem, si formulë, si procedurë konfirmohet”.

Në lidhje me pyetjen se çfarë po ndodh me BKH-në aktualisht, Ibrahimi tha se ajo që po ndodh me BKH-në është ajo që ndodh me ata që quhen “viktima të suksesit”, dhe se ata janë viktima të suksesit.

“Sistemi që është ndërtuar për të filtruar kandidatët që duhet të jenë pjesë e BKH-së, është aq ekzigjent dhe aq i fortë, saqë kërkon një kohë shumë të madhe. Në këto kushte, për hir të një përzgjedhjeje të mirë, sa i takon thelbit të atyre që do të punonin të ardhmen në BKH, kjo është ajo çfarë po shohim sot. Ne sot kemi drejtuesin e BKH-së dhe një grup kandidatësh që janë në fazën finale të përfundimit, sepse të përfundosh officer në BKH duhet të kalosh disa teste të vështira. Por, ata duhet të kalojnë edhe Vetingun, siç bëjmë edhe ne me magjistratët. Vetting është një proces që zgjat por edhe aty janë në një fazë të avancuar. Por, nuk mund të them unë kur do të jetë funksionale BKH. Kjo është një pyetje për drejtuesen e BKH-së dhe atë të SPAK. Por, nga informacionet e mia, ata janë në fazën finale”, tha ai

Në lidhje me pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë, Ibrahimi tha se, “padyshim pandëshkueshmëria e funksionarëve të lartë është një kriter i vendeve të botës së tretë dhe në rast se duam ti shkëputemi kthetrave të këtij cilësimi denigrues, duhet që patjetër të japim rezultate edhe në këtë fushë. Është shumë e thjeshtë. Unë mendoj se ne sot kemi ndërtuar një sistem, i cili e ka potencialin që të godasë penalisht në nivelet më të larta të drejtimit të shtetit”.

Në lidhje me pyetjen se cili është synimi i tij pasi të përfundojë mandatin e KLP-së, Ibrahimi tha se mendon se do të varet nga disa gjëra, si jeta personale në radhë të parë dhe nga mundësitë.

“Në rast se objektivi që i vë vetes përfshin Kuvendin do të duhet parë si është Kuvendi, në rast se përfshin KED duhet parë përbërja e saj, e kështu me radhë. Edhe KPK-së i përfundon afati dhe tani Vetingun e prokurorëve do të duhet ta bëjë KLP-ja. Mendoj se i ka kapacitetet për të bërë Vetingun e prokurorëve nga viti i ardhshëm”, tha ai. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.