Pakti për Universitetin/ 710 studentë ekselentë të punësuar deri tani në administratën publike

TIRANË, 16 shkurt /ATSH/ 710 studentë ekselentë me mesatare mbi 9 janë punësuar deri tani në institucione të ndryshme të administratës publike nëpërmjet platformës punetembare.gov.al, falë Paktit për Universitetin.

Ministrja për Arsimin, Sportin dhe Rininë, Evis Kushi deklaroi sot se 372 prej tyre janë punësuar në shërbimin civil me kontratë pa afat.

“Falë Paktit për Universitetin deri tani plot 710 studentë ekselentë me mesatare mbi 9 janë punësuar në institucione të ndryshme të administratës publike nëpërmjet platformës punetembare.gov.al”, u shpreh Kushi.

“Ky proces nuk do të ndalet, sepse është në vëmendjen tonë të përhershme që t’i hapim rrugë punësimit me meritokraci, duke sjellë edhe energjinë pozitive të të rinjve për të kontribuar në administratën që duam”, tha Kushi.

Platforma “punetembare.gov.al” është një mundësi për studentët e ekselencës të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, të cilët janë në kërkim të një përvoje në administratën publike. Të rinjtë duhet të kenë mbaruar minimalisht ciklin e parë të studimeve “Bachelor” dhe/ose “Master Profesional/Shkencor” me mesatare mbi 9.00 të secilit prej cikleve të studimit.

Qëllimi është përfitimi i një përvoje kualifikuese, e cila do të ndihmojë në zhvillimin e aftësive profesionale dhe në njohjen me administratën publike. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.