Nis vaksinimi antikovid në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër/ Rama: Arritje e madhe që ne nuk kemi pasur goditje në këto institucione

TIRANË, 16 shkurt/ATSH/ Në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër nisi sot vaksinimi antikovid.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishin sot në azilin e Shkodrës, një ndër strukturat e transformuara në sajë të investimeve të qeverisë, ku ofrohen kushtet më të mira dhe sot nisi vaksinimi i 45 të moshuarve.

“Nis vaksinimi antikovid për të moshuarit në pikat më të dobëta të vijës së mbrojtjes, që janë Shtëpitë e të Moshuarve, aty ku Armiku i Padukshëm ka goditur pa mëshirë në të gjitha shtetet”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi punën që është kryer në Shtëpitë e të Moshuarve gjatë periudhës së pandemisë, ndërkohë që theksoi se, “në Europë është bërë nami”.

“Është realisht fat dhe arritje e madhe që ne nuk kemi pasur goditje në shtëpitë e të moshuarve, se në Europë është bërë nami. Kjo e lidhur me sakrificat e mëdha të gjitha stafeve që kanë izoluar veten bashkë me të moshuarit dhe kanë shmangur zinxhirin e infeksionit”, tha Rama.

Ndërkohë ministrja Manastirliu tha se, “ne i kemi mbajtur stafet e mbyllura. Në fillimet e pandemisë të gjithë stafet e kujdestarëve ishin të izoluara dhe bënë një sakrificë shumë të madhe. Tani jemi në kuadër të vaksinimit të kombinuar dhe do të bëjmë vaksinat për gjithë të moshuarit”.

Ajo u ndal te transformimi që janë bërë në shtëpitë e të moshuarve, të cilat kanë tani standarde dhe kushte shumë të mira.

“Ne e kemi pasur merak këtë punë. Kushtet në shtëpitë e të moshuarve kanë ndryshuar rrënjësisht. Ne kemi vendosur bonus 500 mijë lekë mbi pagën për punonjësit”, tha ministrja./m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.