Mashtruan qytetarët/ Finalizohet operacioni “Interesat”, në pranga një shtetase, në kërkim një tjetër

TIRANË, 16 shkurt/ATSH/ Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë, nisur nga informacionet e marra në rrugë operative për dy shtetas që prezantoheshin si administratorë të një banke dhe mashtronin klientë me faktin se ishin përzgjedhur si fitues nga banka dhe për rrjedhojë do të përfitonin interesa më të larta për depozitat si klientë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Interesat”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua shtetasja V. G., 36 vjeçe, banuese në Tiranë, si dhe dhe është shpallur në kërkim shtetasi S. K.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përvetësuar shumën 1.600.000 lekë nga një qytetar që kishte depozita në një bankë të nivelit të dytë, duke e mashtruar atë me faktin se ishte përzgjedhur si fitues i bankës dhe për rrjedhojë do të përfitonte interesa më të larta për depozitat si klient.

Policia po vijon punën, në bashkëpunim me Prokurorinë, për evidentimin e rasteve të tjera të mashtrimit që kanë kryer këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.