GREQI – Mitsotakis u kërkon qytetarëve shmangien e lëvizjeve të panevojshme përballë motit ekstrem

ATHINË, 16 shkurt /ATSH-ANA/ – Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis u kërkoi sot qytetarëve të vendit të tij të mënjanonin lëvizjet e panevojshme për shkak të motit ekstrem që ka përfshirë vendin ballkanik.

Ai shtoi se Atika, një prej rajoneve më të mëdha të vendit, po përballej me një fenomen ekstrem të motit, i cili duket se do të vazhdojë duke shtrirë ndikimin edhe në ishujt e Evias dhe Kretës.

“Ne u rekomandojmë qytetarëve të jenë shumë të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme. Mekanizmi shtetëror do të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbajtur rrugët e hapura. Sigurisht, një nga shqetësimet tona të mëdha është furnizimi me energji elektrike pasi ne jemi të vetëdijshëm se ka probleme, veçanërisht në Atikë”, pranoi ai.
Mitsotakis tha se të gjithë duhet të tregojmë durim dhe të bashkërendojmë punët për një fenomen të paparë atmosferik.

Kryeministri gjithashtu iu referua çështjes së vaksinimit.

“Vaksinimi është shtyrë në Atikë. Ministria e Shëndetësisë do të kujdeset për të mbuluar vonesat sa më shpejt të jetë e mundur, veçanërisht ato në lidhje me dozën e dytë të vaksinës”, theksoi ai./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.