FOTO – Një strehë dhe ushqim i ngrohtë/ Bashkia vijon të ndihmojë qytetarët në vështirësi

TIRANË, 16 shkurt/ATSH/ Ditët e ftohta dhe të acarta që kanë përfshirë vendin mund të jenë fatale për njerëzit që sot nuk kanë asnjë strehë të ngrohtë.

Në qytetin e Tiranës punonjësit e bashkisë të cilët ndodhen në terren edhe gjatë orëve të vona të mbrëmjes, kanë ndihmuar sërish qytetarë, që vështirësi të ndryshme i kanë detyruar të kalojnë natën jashtë.

Të paktën 4 persona janë strehuar mbrëmë në qendrat sociale të kryeqytetit, ku përveç strehës kanë gjetur edhe ushqim të ngrohtë dhe ambient social.

Të katër qytetarët, përgjithësisht nga rrethe të ndryshme e të gjendur pa strehë një natë më parë në disa prej rrugëve të Tiranës, sot ndodhen në një prej qendrave sociale të hapura nga bashkia e Tiranës pikërisht për njerëzit që ndodhen në situatë rruge.

Bashkia e Tiranës ka ngritur në të gjithë qytetin disa qendra sociale ku përveç një vakti të ngrohtë, ata marrin edhe të gjithë kujdesin e punonjësve socialë si dhe nëse është e nevojshme edhe vizitat mjekësore.

Qendrat sociale kontaktojnë më pas edhe me familjarët e personave që ndodhen në situatë rruge për t’iu ardhur në ndihmë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.