MV – Vështirësi në lëvizje për shkak të bllokimit të rrugëve dhe ngricave

SHKUP, 15 shkurt /ATSH-MIA/ – Trafiku në disa rrugë në Maqedoninë e Veriut paraqet vështirësi, pasi vende-vende ka mbetje të dëborës në rrugë, për shkak të temperaturave të ulëta, si edhe ngrica.

Në disa akse rrugore ka ndalesë për lëvizje për automjetet e rënda transportuese, ndërkohë që është bllokuar rruga mes zonës së Rakonvcit dhe Germanit.

”Auto Moto” e Maqedonisë informoi sot në mëngjes se ndalesë për kamionë ka në rrugën Prilep–Kavadar, përmes kalimit malor Pletvar, ndërsa në rrugën Tetovë-Kodër Diell ndalesa është për kamionët dhe për autobusët.

Ndalesa ka edhe në akset rrugore Manastir–Resnjë, përmes kalimit malor Gjavatë, Kriva Pallankë-vendkalimi kufitar Deve Bair si dhe krahu Mavrovë-Dibër, ku është ndaluar lëvizja për automjete të rënda transportuese.

Automjetet e rënda transportuese nuk mund të lëvizin edhe në rrugën nga Dibra drejt Strugës, ndërsa në drejtim të kundërt nga Struga drejt Dibrës nuk ka ndalesë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.