​Përfundon numërimi i fletëvotimeve në Kosovë/KQZ: Në pritje votat me kusht dhe ato me postë

PRISHTINË, 15 shkurt/ATSH/- Ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve nga të gjitha vendvotimet në Kosovë, ka mbetur vetëm që të procesohen edhe rreth 1% e të dhënave në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhje (KQZ), deklaron për  KosovaPress zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

Ndërkohë në Qendrën e Numërimit (QNR) dhe rezultateve po vazhdon të pranohet materiali i ndjeshëm zgjedhor që është përdorur dje gjatë ditës së zgjedhjeve.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdojmë të pranojmë materialin e ndjeshëm zgjedhor i cili gjatë ditës së zgjedhjeve ka qenë i shpërndarë në të gjitha vendvotimet në Republikën e Kosovës. Më lejoni gjithashtu t’iu njoftoj se numërimi i fletëvotimeve nga vendvotimet ka përfunduar të dielën në mbrëmje dhe në web faqen e KQZ-së janë procesuar të dhënat e pothuajse 99% të vendvotimeve, kanë mbetur disa vendvotime numër i vogël rreth 40 prej tyre të dhënat e të cilave do të përditësohen do të ngarkohen në web faqe gjatë ditës së sotme”, tha Elezi.

Ndërkohë në pritje për numërim mbesin votat me kusht, ato nga jashtë Kosovës dhe votat e personave me nevoja të veçanta, proces që cilat sipas Elezit mund të fillojë pasi të përfundojnë procedurat në QNR që kanë të bëjnë me materialin zgjedhor, për çka ai ka thënë se këto procedura mund të përmbyllen deri nesër.

Ndërsa për parregullsitë e shfaqura gjatë ditës së djeshme për mungesë të zarfeve, Elezi tha se askush nuk ka mbetur pa votuar.

“KQZ e ka të pamundur që të planifikojë se sa qytetarë do të dalin për të votuar në një vendvotim të dyfishtë në një qendër votimi. Duke qenë se Kosova është një zonë e vetme zgjedhore teorikisht një qendër votimi në fakt një vendvotim i dyfishtë do të mund të shërbente për te votuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote në Republikën e Kosovës, duke qenë kështu KQZ e ka të pamundur që të bëjë planifikime se sa qytetarë do të dalin për të votuar me kusht në një qendër votimi ta zëmë në qendrën e votimit që ndodhet në Fakultetin e Filologjisë në vendvotimin e dyfishtë të kësaj qendre, prandaj shkaktohen edhe mungesa të zarfeve të fletëvotimit me kush por ajo çfarë është me rendësi askush nga këta qytetarë nuk ka mbetur pa votuar sepse zyrtari i lartë komunal në komunën e Prishtinës dhe sigurisht komisioni komunal i zgjedhjeve ka ndërhyrë shumë shpejtë duke dërguar materialin që ka qenë i nevojshëm për t’u zhvilluar ky votim”, tha Elezi.

​​ Nga zgjedhjet e djeshme, me numërimet e deritanishme parti fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje.

/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.