Vijon pastrimi i akseve rrugore nga bora e ngricat/ARRSH: Rekomandohet qarkullimi me zinxhirë

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/- Autoriteti Rrugor Shqiptar ka informuar mbi gjendjen e akseve kombëtare duke bërë të ditur se “reshjet e borës kanë pushuar, por temperaturat janë shumë të ulëta, të cilat kanë favorizuar krijimin e shpejtë të akullit në zona të veçanta pavarësisht kriposjes”.

Në njoftimin për mediat, ARRSH bën të ditur se në veri të vendit drejtuesve të automjeteve u rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në akset, Bicaj –Bushtrice, K.Domaj -Draje Rec, Kuben-Vasije (pjesërisht me zinxhirë), Peshkopi- Qafë Drajë (pjesërisht me zinxhirë), Ura e Cerenecit -Klenjë (15 kilometrat e para me zinxhirë) dhe Qafë Mali-Fierzë”

Në rrugët Trebisht-Dogane (xhepisht), Ura e Çerenecit-Klenjë dhe Ura e Çerenecit-Sterblevë 15 kilometrat, vijon puna për pastrimin nga bora dhe ngricat.

Në rajonin qendror, ARRSH bën të ditur se rekomandohet qarkullimi me zinxhirë në akset, Laç-Milot, Halilaj-Krujë, Krujë-Sarisalltik. Nga Surreli e sipër rekomandohen vendosja e zinxhirëve ose gomave dimërore. Elbasan-Gjinar, Gramsh Kodovjat-Mollë Grabovë, Lunik Steblevë. Pjesërisht përdorimi i zinxhirëve në K.Zëmblak-Goricë”.

Në jug të vendit, ARRSH bën të ditur se “në rrugën e Dardhës dhe Qafa e Qarrit këshillohet të udhëtohet me goma dimërore ose zinxhirë, ndërsa drejt Voskopojës pa zinxhirë. Në Llogara është bërë shpërndarja e vazhdueshme e kripës. Kontraktorët janë në terren  për pastrimin e akseve dhe shpërndarjen e kripës”.

“Të gjithë drejtuesit e mjeteve të lëvizin vetëm me goma dimri ose zinxhirë, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, apelon ARRSH.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.