Reshjet e dëborës/ Çako: Nuk ka asnjë aks rrugor të bllokuar, vështirësi për shkak të ngricave

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Haki Çako deklaroi sot se nuk ka asnjë aks rrugor të bllokuar, por për shkak të ngricave lëvizja e automjeteve ka krijuar vështirësi.

Në një prononcim për mediet, Çako tha se “Shqipëria është gdhirë sot e zbardhur nga dëbora që ka përfshirë pothuajse të gjitha rajonet e vendit. Ishte paralajmëruar nga shërbimet sinoptike, por edhe nga informacionet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes për reshjet e konsiderueshme që do të përfshinin vendin”.

“Ka pasur reshje që kanë krijuar vështirësi në rrugët nacional, por edhe rurale. Dy akset kryesore që kanë qenë më problematike nga ai midis Librazhdit dhe Milotit për në Lezhë, kanë qenë të bllokuara pothuajse të bllokuara e vona të mbrëmjes. U desh ndërhyrja  e të gjitha gjitha strukturave të mbrojtjes civile, emergjencave civile, ARRSH, Policia e Shtetit që bënë të mundur lirimin e akseve nacionale, pak me herët atë të Librazhdit, por është zhbllokuar edhe rruga nacionale nga Miloti në Lezhë, e cila ishte e bllokuara nga disa trajlera që ishin bllokuar”, – tha Çako.

Çako i bëri apel drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes, pasi rrugët kanë vështirësitë e veta për shkak të ngricës dhe për shkak të mundësisë së kufizuar të parakalimit duhet të kenë kujdes.

“Temperaturat do të shkojnë ekstremisht nën zero. Mund të ketë probleme për ata drejtues që nuk ka zinxhirë ose nuk i kanë mjetet me goma dimri. Reshjet dëbore do ketë në zonat malore, por prezenca e akullit është shumë e madhe për shkak të përfshirjes së gjithë vendit nga reshjet e dëborës”, – tha Çako.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.