Reshje bore përfshijnë vendit/ ARRSH: Kontraktorët kanë bërë shpërndarjen e kripës dhe pastrimin e të gjitha akseve

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ Reshje bore kanë përfshirë verilindjen e juglindjen e vendit, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar informon se kompanitë kontraktore janë në terren për të mbajtur të gjitha akset rrugore në vend.

“Gjatë natës kanë filluar reshjet e borës në qarkun e Kukësit, në qarkun e Dibrës, në qarkun e Korçës, në Qafë Mali-Fierzë, në akset e Sarisalltikut dhe Steblevës, shoqëruar me temperatura të ulëta. Kontraktorët kanë bërë shpërndarjen e kripës dhe pastrimin e të gjitha akseve”, bën të ditur ARRSH-ja.

Në akset Korçë-Qafë Qarri, Korçë-Dardhë, Voskop-Voskopojë, ARRSH rekomandon përdorimin e zinxhirëve.

Po ashtu bën të ditur ARRSH-ja, vazhdon puna me mjete borë pastruese.

Njëkohësisht, ARRSH-ja apelon drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm, sidomos gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit për shkak të ngricave, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore, si dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.