Moti i keq/ Javën e ardhshme mësim online për të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar

TIRANË, 13  shkurt/ATSH / Për shkak të motit të keq që ka përfshirë vendin, ministrja Arsimit, Evis Kushi ka njoftuar se të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar do të mbyllen dhe mësimi do të zhvillohet online.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, ka vendosur kalimin në skenarin e tretë të mësimit online për javën e ardhshme, nga data 15 deri në 19 shkurt 2021.

Ky vendim vjen si rezultat i kushteve të vështira atmosferike.

“Sipas parashikimeve të IGJEUM, në vendin tonë pritet një rënie shumë e theksuar e temperaturave dhe reshje të dendura dëbore në pjesën më të madhe të territorit”,- tha Kushi.

“Për këtë arsye, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë vendosi të kalojë të gjitha institucionet tona të arsimit parauniversitar në skenarin e tretë të mësimit online për javën e ardhshme, nga data 15 deri në 19 shkurt 2021”,- vijon Kushi.

“Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, si dhe të gjitha zyrat arsimore dhe drejtoritë rajonale në vend, po punojmë intensivisht për të marrë të gjitha masat e nevojshme që të garantojmë mbarëvajtjen e këtij procesi”,- shprehet ministrja Kushi. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.