Xhafaj: Televizioni i Familjes fabrikon lajm të rremë duke përdorur pamje me ish-kryebashkiakun e ndjerë

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëkohësisht i deleguar i Partisë Socialiste për Kavajën dhe Rrogozhinën, Etjen Xhafaj reagoi sot pas një lajmi të rremë të publikuar në media lidhur me thyerjen e protokolleve anti-COVID nga Partia Socialiste.

“Këta nuk dinë as çfarë është turpi! Televizioni i Familjes sot fabrikoi një lajm për të treguar thyerjen e protokolleve antiCovid nga Partia Socialiste dhe kolegia Elisa Spiropali”, shprehet Xhafaj.

“Turpshëm, për të treguar këtë “të tashme” kanë zgjedhur pamje ku duket qartë ish-kryetari i bashkisë Rrogozhinë, miku ynë i ndjerë Haxhi Memolla, i cili ka ndërruar jetë 22 shkurtin e vitit të shkuar. Balta nuk pyet as për dhimbjen e fatkeqësinë e familjes dhe të gjithë qytetit të tij”, thekson Xhafaj në reagimin e tij.

“Pikërisht ky abuzim makabër e falsifikim diletant, është arsyeja pse ata që s’kanë asgjë të shenjtë, do marrin përgjigjen e merituar më 25 Prill”, përfundon Xhafaj. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.