Të ardhurat nga renta minerare bien me mbi 30 %, ndikim rënia e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare dhe ulja e eksporteve

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.8 miliardë lekë, 31.9 % ose 0.8 miliardë lekë më pak se viti i kaluar dhe realizim në masën 70.1 % kundrejt planit, ose 0.8 miliardë lekë më pak.

Të ardhurat nga renta minerare e naftës bruto janë 1.4 miliardë lekë, 830 milionë ose 37.8 % më pak se renta e vitit 2019.

Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë rënë si rezultat i rënies së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, me një efekt negativ prej 647 milionë lekë, por kjo rënie është shoqëruar nga rënia në sasinë e naftës bruto të eksportuar e cila ka sjellë efekt negativ në rentë me 183 milionë lekë.

Gjatë vitit 2020 kemi një rënie të rentës për njësi nga 3.42 lekë/ton, në 2.32 lekë/ton.

Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie në masën 38 milionë lekë, për shkak të rënies së së sasisë së mineraleve me 5.1 %, me efekt 24 milionë lekë, efekt ky që është shoqëruar me një rënie të çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare me efekt negativ 14 milionë lekë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.