“Poliklinika e Lushnjës, si e gjetëm dhe si është sot”/ Rilindja e Shëndetësisë, ende një rrugë në ngjitje

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Nga një ngrehinë me gjendje skandaloze, sot Poliklinika e Lushnjës është një institucion shëndetësor me standarde bashkëkohore, me kushte që i kanë rikthyer dinjitetin mjekëve dhe infermierëve që u shërbejnë qytetarëve.
Kjo poliklinikë është një tjetër qendër shëndetësore e shndërruar në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në mbarë vendin.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje sesi ishte më parë kjo poliklinkë dhe si është transformuar.
“Poliklinika e Lushnjës si e gjetëm dhe si është sot. Padiskutim Rilindja e Shëndetësisë është ende një rrugë në ngjitje, me plot ferra për t’u pastruar e me gropa sa të duash për t’u kapërcyer! Por ama këdo që e ka harruar si ishte shëndetësia dhe që shan, akuzon, përqesh, a thua se ka ardhur nga hëna e nuk i kanë parë stallat e deri para 7 vjetëve që quheshin spitale, poliklinika, qendra shëndetësore, duhet ta ndihmojmë të zgjojë kujtesën nga gjumi”, – tha Rama.
E lënë pas dore prej pothuajse dy dekadash, pa asnjë investim dhe drejt amortizimit të plotë, ndërtesa 3-katëshe në qendër të qytetit të Lushnjës, ku ushtron aktivitetin shëndetësor poliklinika e specialiteteve, qendra shëndetësore nr. 1 dhe konsultorja e gruas dhe fëmijës e qendrës shëndetësore nr. 2, është rehabilituar tërësisht dhe është pajisur me aparatura mjekësore të reja.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.