Kompania polake shpik sensorin që zbulon COVID-19 në më pak se 10 sekonda

VARSHAVË, 12 shkurt /ATSH-PAP/ – Kompania ML System ka zhvilluar një sensor që mund të zbulojë grimcat COVID-19 gjatë frymëmarrjes në më pak se 10 sekonda, njoftoi presidenti i kompanisë.

Presidenti i ML System, Dawid Cycon tha se kompania ka përfunduar testet e saj paraprake.

“Ne kemi marrë miratimin nga komiteti mjekësor i bioetikës për të kaluar në fazën e testimit në tampona dhe, shumë shpejt, ne presim që të kemi rezultate në lidhje me ndjeshmërinë dhe zbulueshmërinë e pajisjes”, theksoi ai.

Presidenti polak, Andrzej Duda, i cili vizitoi fabrikën e ML System, tha se pajisja “është një burim krenarie e madhe për të gjithë vendin”.

“Sot ne paraqesim produktin më të ri të kompanisë, krejtësisht të jashtëzakonshëm, veçanërisht në kohërat e vështira të sotme, kur prekemi nga pandemia COVID-19”, tha presidenti, duke shtuar se sensori mund të zbulojë grimcat COVID-19 në frymëmarrje si dhe në një numër substancash të tjera.

ML System është prodhues dhe shpërndarës i paneleve fotovoltaike./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.