Avokati Visha: Arrestimi i gjyqtares së Krujës tregon që reforma në drejtësi po jep frytet e saj

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ “SPAK-u brenda dy viteve ka goditur dhe dënuar mbi 10 gjyqtarë si në asnjë vend tjetër të botës dhe kjo do të thotë që reforma në drejtësi po jep frytet e saj”, deklaroi avokati Saimir Visha.

Gjatë një interviste televizive lidhur edhe me arrestimin e gjyqtares së Krujës, Visha u shpreh se, “vetë gjyqtarët e prokurorët e SPAK-ut kanë marrë nën hetim gjyqtarë e prokurorë që janë kolegët e tyre, çka do të thotë se në momentin që SPAK-u filloi të godasë kolegët e tyre, imagjino se ç’do të ndodhë me politikanë, ish-ministra e ish-drejtorë, pasi jam i bindur që shumë shpejt SPAK-u do të veprojë”.

Arrestimi i gjyqtares së Krujës, shprehet ai, është produkt i SPAK, por edhe gjithë organeve ligjzbatuese dhe jemi në momentin që reforma po jep frytet e saj.

”Në një vit e gjysmë ne nuk mund të prisnim më shumë nga kjo reformë. Në momentet që po kapen shuma të mëdha parash të cilat rrjedhin nga korrupsioni është fryt i reformës në drejtësi të cilët ata që ishin pesimistë, aktualisht duhet të jenë optimistë”, tha ai.

“Të gjithë e kuptuam që para 4 -5 vitesh ku të gjithë ramë dakord për ndryshimet kushtetuese dhe Kuvendi për herë të parë me vota unanime, 140 vota, ishin dakord që kishte ardhur momenti që drejtësia duhet të ndryshonte, sepse qytetarëve kjo drejtësi po u krijonte shumë padrejtësi. Në lidhje me ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi, një nga arritjet më të mëdha ishte krijimi i SPAK-ut, një prokurori e posaçme që duhej të merrej kryesisht me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Por që kjo prokurori të funksionojë normalisht, duhet në mënyrë emergjente krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, sepse është në funksion të hetimit dhe procedimeve penale”, theksoi Visha.

Ai shtoi se, “në një vit e gjysmë, rezultat dhe pritshmëria e SPAK-ut është në nivel të kënaqshëm, pavarësisht mbingarkesës së panevojshme me disa vepra penale”.

Për këtë, vuri në dukje avokati, Kuvendi duhet të bëjë një ndryshim për të ulur punën ose ngarkesën e SPAK-ut.

“Kemi një SPAK që nga njëra anë kërkojmë të merret me krimin e organizuar dhe korrupsionin, nga ana tjetër e sfumuam duke i hedhur vepra penale të cilat mund t’i gjykojë edhe një gjykatë rrethi gjyqësor. KLP duhet të propozojë urgjentisht për rritjen e numrit të prokurorëve, t’i kalojë 25-30 sepse me 12-13 prokurorë është e pamundur”, u shpreh ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.