“215 gjimnaze mësim online për 2 javë”/ Kushi: Vendimi për shkak të rritjes së infektimeve në grupmoshën 15-18 vjeç

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ 215 gjimnaze në 10 bashki të vendit do të zhvillojnë mësim online për 2 javë.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi deklaroi në një intervistë televizive se, ky vendim u mor edhe nga fakti i rritjes së infektimeve në grupmoshën 15-18 vjeç.

“Ky vendim u mor nga ekspertët që shikojnë numrat. Janë 215 shkolla të mesme, rreth 57 mijë nxënës, në 10 bashki të vendit ku situata e pandemisë është më e rënduar se sa në zonat e tjera”, u shpreh Kushi.

Ministrja thotë se për universitetet do të veprohet në varësi të situatës së infektimeve, ndaj nuk ka asnjë datë se kur ata do të kthehen në auditorë.

“Me ardhjen e vaksinës dhe ndoshta ndryshimin e stinës ndoshta mund të kemi një përmirësim të situatës, por ky nuk është një vendim që mund ta marrim në këto momente”, tha Kushi.

MASR ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar edhe për ciklin 9-vjeçar, nëse do të rikthehet në skenarin e tretë të mësimdhënies, ashtu si gjimnazet. Por nëse situata vijon të paraqitet me shifra të larta infektimesh, Kushi thotë se do të jetë Komiteti Teknik i ekspertëve që do të japë një vendin vendim final.

Sa i përket mësuesve të infektuar me COVID-19 që prej fillimit të vitit shkollor në muajin shtator, ministrja Kushi deklaroi nga 1 mijë mësues që janë vënë në dispozicion për zëvendësimin e arsimtarëve të karantinuar në sistemin parauniversitar, afro gjysma e tyre janë angazhuar në mësimdhënie.

“Çdo ditë na vijnë në kohë reale numri i mësuesve të infektuar, i nxënësve të infektuar, i mësuesve të karantinuar, e po ashtu edhe i mësuesve që kthehen”, tha Kushi.

E pyetur se sa është numri i mësuesve të cilët janë angazhuar, Kushi tha se, “më pak se gjysma, për 1 mijë mësues shtesë”. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.