Treguesit fiskalë/ Të ardhurat doganore u realizuan në vlerën 153.1 miliardë lekë

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Të ardhurat doganore, ku përfshihen të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare, u realizuan në vlerën 153.1 miliardë lekë, 9.9 miliardë lekë ose 6.1 % më pak se viti fiskal 2019, si dhe 2.3 miliardë lekë ose 1.5 % më pak se plani i të ardhurave doganore për 12-mujorin e vitit 2020.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, në përmbledhjen e Performancës 12-mujore të të ardhurave dhe shpenzimeve thekson se, “sipas analizës së 60 grup mallrave, peshën më të madhe të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zë karburanti total me rreth 22.6 % të të ardhurave (nga ku 21.9 % karburant importi), cigaret me rreth 14.2 % të të ardhurave, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre zënë 5.2 % të të ardhurave totale doganore”.

Ndërkohë, ndikimin më të madh në rritje krahasuar me 12-mujorin e vitit 2019 e kanë dhënë të ardhurat nga importi i sheqerit (42 %), dhjamërat shtazore, detergjentë dhe parfumeri, mielli dhe gruri, etj. Një rënie kundrejt periudhës së mëparshme kanë pasur të ardhurat doganore nga karburantet e importit, karburantet prodhim vendi, energjia elektrike dhe cigare.

Të ardhurat nga TVSH në import për 12 mujorin rezultojnë 100.5 miliardë lekë, 2.3 miliardë lekë ose 1.7 % më pak se një vit më parë, si dhe 0.6 miliardë ose 0.5 % më pak se plani për vitin 2020.

Sipas MFE-së, ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në mosrealizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar.

“Rënia e importeve të taksueshme ka ndikuar direkt në uljen e arkëtimeve të TVSH-së në import. Situata ekonomike prej Covid-19 është reflektuar në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja e mbledhur në doganë për disa kategori artikujsh. Po gjatë vitit 2020, ulja drastike e çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare krahasuar me vitin 2019, ndikoi në uljen e bazës së TVSH-së për karburantet e importit, të cilat zënë një peshë të konsiderueshme rreth 15 % në strukturën e TVSH-së në import, duke dhënë efekt negativ prej 1.6 miliardë lekësh”, thekson MFE.

Gjatë vitit 2020, produkte doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë importi i dhjamërave shtazore, sheqeri, detergjentë dhe parfumeri, mielli dhe gruri, të cilat kanë një kontribut pozitiv +0.7 miliardë lekë. Ndër produktet me efekt negative renditen energjia elektrike, karburantet, automjetet e përdorura, etj., me një efekt -4.3 miliardë lekë.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 44.6 miliardë lekë, 2.2 miliardë lekë ose 4.7 % më pak se viti 2019, si dhe 0.7 miliardë lekë ose 1.6 % më pak se plani i akcizës për vitin 2020. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga akciza ka pasur produkti i duhanit prodhim vendi, me një rritje +12 tonë (+41 %) me një efekt +41 milionë lekë më shumë se viti i kaluar.

Produktet e akcizueshme që kishin ndikim negative janë karburantet e prodhuara në vend, me një rënie prej 57.7 mijë tonë (-66.5 %) krahasuar me një vit më parë, duke sjellë një efekt negative në akcizë me -2.4 miliardë lekë.

Akciza e rimbursuar është 0.55 miliardë lekë, ose sa 35.2 % e akcizës së rimbursuar në të njëjtën periudhë në vitin 2019.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.8 miliardë lekë, 31.9 % ose 0.8 miliardë lekë më pak se viti i kaluar dhe realizim në masën 70.1 % kundrejt planit, ose 0.8 miliardë lekë më pak.

Të ardhurat nga renta minerare e naftës bruto janë 1.4 miliardë lekë, 830 milionë ose 37.8 % më pak se renta e vitit 2019. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë rënë si rezultat i rënies së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, me një efekt -647 milionë lekë, por kjo rënie është shoqëruar nga rënia në sasinë e naftës bruto të eksportuar e cila ka sjellë efekt negativ në rentë me -183 milionë lekë.

Gjatë vitit 2020 kemi një rënie të rentës për njësi nga 3.42 lekë/ton në 2.32 lekë/ton. Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie në masën 38 milionë lekë, për shkak të rënies së së sasisë së mineraleve me 5.1 %, me efekt 24 milionë lekë, efekt ky që është shoqëruar me një rënie të çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare me efekt –14 milionë lekë.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 6.2 miliardë lekë, 0.24 miliardë lekë ose 6.3 % më pak se viti fiskal 2019, si dhe 219 milionë lekë ose 3.4 % më pak se plani i vitit 2020. Peshën më të madhe në taksën doganore e zënë produkte si cigaret (10 %), mish importi (8.3 %), fruta-perime (7.3 %), veshjet e këmbës (7.2 %), etj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.