Shtohen prurjet në kaskadën e lumit Drin, prodhimi ditor rreth 24 mijë MWh

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) informoi sot se prurjet në kaskadën e lumit Drin janë shtuar për shkak të reshjeve intensive që përfshinë vendin duke arritur në 2310 m3/s, ndërsa po vijon prodhimi me kapacitetet maksimale, duke bërë të mundur plotësimin e të gjithë kërkesës për energji elektrike në vend.

KESH po ashtu informoi se po kryhen shkarkime nga të tre HEC-t mbi kaskadën e Drinit.
Niveli i ujit në liqenin e hidrocentralit të Fierzës është 292.36 m, nga 296 m që është kuota maksimale; në HEC-n e Komanit 172.65 m, nga 175.5 m dhe HEC-n e Vaut të Dejës, 74.45 m, nga 76 m që është kuota maksimale.

Në HEC-n e Fierzës prodhimi ditor është 6434 MWh, në Koman 13197 MWh, ndërsa në Vaun e Dejës, 4320 MWh.

”Prodhimi total llogaritet 23953 MWh (ditor) dhe plotëson të gjithë kërkesën për energji elektrike të konsumit për vendin”, bën të ditur KESH.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESH-i, në HEC-in e Fierzës shkarkimi nga prodhimi është 450 m3/s, ndërsa nuk ka shkarkim nga portat. Në HEC-in e Komanit shkarkimi nga prodhimi është 670 m3/s, ndërsa nga portat 300 m3/s. Në HEC-in e Vaut të Dejës shkarkimi nga prodhimi është 437 m3/s dhe 500 m3/s nga portat.

“KESH do të vijojë të monitorojë situatën duke garantuar sigurinë e plotë të digave, furnizimin me energji elektrike të konsumatorit vendas dhe shmangien e ndikimit negativ të shkarkimeve në zonën e Nënshkodrës”, thuhet në njoftimin e KESH-it.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.