Rama: Vitet ikin, premtimet e PD ndryshojnë vetëm kursin nga USD në Euro; reagon Basha

TIRANË, 11shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video ku tregohet ish- kryeministri Sali Berisha, i cili në vitin 2013 premtonte se “në krye të 4 viteve rroga e mësuesit do të jetë mbi 700 dollarë”.

Gjithashtu në video tregohet edhe kreu aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili shprehet se, “as edhe një mësues nuk do marrë më pak se 700 euro në muaj rrogë”.

“Vitet ikin, premtimet e PD ndryshojnë vetëm kursin e këmbimit nga USD në Euro”, shprehet Rama.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar ndaj videos së kryeministrit Rama ku ka publikuar një grafik sipas të cilit pagat e mësuesve gjatë qeverisjes së PD u dyfishuan, ndërsa gjatë qeverisjes së PS mbetën në vendnumëro.

“Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike pagat e mësuesve u dyfishuan. Gjatë 8 viteve të Ramës ato mbetën vendnumëro”, tha Basha.

“E gjithë Shqipëria ka mbetur vendnumëro prej tij dhe dështimeve të tij në çdo drejtim”, theksoi kreu i PD.

Basha nënvizoi se, “ka ardhur koha që kjo të ndryshojë. Ka ardhur koha për një qeveri që kujdeset për mësuesit dhe për të gjithë qytetarët”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.