Manastirliu mesazh prekës për vdekjen e mjekut Keko: I dedikoi jetën spitalit të Përmetit për 50 vite, la një boshllëk të pazëvëndësueshëm për përmetarët

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu përmes një mesazhi ka shprehur ngushëllime për vdekjen e mjekut pneumolog Rustem Keko, i cili humbi jetën për shkak të COVID-19.

“Dr. Rustem Keko i dedikoi jetën spitalit të Përmetit, ku shërbeu për 50 vite, deri pak ditë më parë kur u shtrua në spitalin Infektiv si pasojë e COVID-19”, u shpreh Manastirliu.

“Virusi i pabesë, shprehet ajo, nuk e kurseu mjekun pneumolog, megjithë kujdesin e stafit mjekësor të spitalit COVID 1, duke lënë një dhimbje të madhe për familjen e dr. Rustemit dhe një boshllëk të pazëvendësueshëm për spitalin e Përmetit e për përmetarët, të cilëve u shërbeu me përkushtim. U prehsh në paqe dr. Rustemi”, tha në mesazhin e saj ministrja.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.