Komisioneri Publikon kundër vendimit të KPK-së, kërkon shkarkimin e drejtuesit të Prokurorisë së Kavajës, Artan Madani

TIRANË, 11 shkurt /ATSH – I. Vata/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, seancën gjyqësore lidhur me ankimimin e Komisionerit Publik ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që konfirmoi në detyrë drejtuesin e i Prokurorisë së Kavajës, Artan Madani.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, subjekti i rivlerësimit Artan Madani paraqiti si kërkesë paraprake para trupit gjykues shtyrjen e seancës gjyqësore për një periudhë 2-javore, për pamundësi objektive të përfaqësuesit të tij ligjor për ta asistuar në seancë, për arsye shëndetësore.

Pasi, Komisioneri Publik shprehu dakordësinë me këtë kërkesë të subjektit të rivlerësimit dhe pasi trupi gjykues legjitimoi përfaqësuesin ligjor si palë në proces, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datën 23.02.2021, ora 10:00.

Drejtuesi i Prokurorisë së Kavajës, Artan Madani u konfirmua në detyrë më 1 korrik 2019 me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Komisioneri Publik e ankimoi këtë vendim dhe kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin e KPK-së, duke kërkuar shkarkimin nga detyra të Artan Madani.

Artan Madani e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ai ka punuar si prokuror në Durrës, ka drejtuar prokurorinë e Lezhës dhe është rikthyer sërish si prokuror në Prokurorinë e Durrësit.

Në vitin 2014, Madani është emëruar në Prokurorinë e Kavajës ku është promovuar më pas si drejtues i kësaj prokurorie.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.