Bizneset dhe individët rritën depozitat në lekë në tremujorin e fundit/ BSH: Në total stoku u shtua me rreth 36 miliardë lekë

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Stoku total i depozitave ka shënuar një rritje vjetore të qëndrueshme, me rreth 7 % mesatarisht, e ngjashme me normën prej 6.8 % në tremujorin paraardhës.

Banka e Shqipërisë në raportin e publikuar sot bën të ditur se zgjerimi i tyre është udhëhequr nga rritja e depozitave në lekë.

“Ecuria e depozitave, gjatë kësaj periudhe, evidenton rritjen e lartë të depozitave të bizneseve në lekë, në reflektim të rritjes sezonale të aktivitetit të tyre në fund të vitit, si dhe të pagesave të lidhura me aktivitetin e qeverisë në këtë periudhë. Depozitat e individëve shënuan gjithashtu rritje të konsiderueshme, të mbështetura, ndër të tjera, dhe nga flukset sezonale valutore”, thuhet në raport.

Stoku i depozitave në lekë shënoi rritje mesatare vjetore me rreth 8.7 %, duke reflektuar zgjerimin e kredisë për sektorin privat në lekë si dhe aktivitetin e shtuar të qeverisë gjatë kësaj periudhe.

Depozitat në valutë shënuan gjithashtu rritje, me rreth 5.3 % vit mbi vit, pranë
mesatares së tremujorit të tretë.

Stoku i depozitave në total është shtuar me rreth 36 miliardë lekë në tremujorin e fundit. Kjo rritje, sipas BSH-së, është e përqendruar në muajin dhjetor. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.