Ankimimi nga Komisioneri Publik i vendimit të KPK për prokurorin Artan Madani, shtyhet seanca në KPA

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Shtyhet më 23 shkurt seanca në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Artan Madani, me detyrë prokuror/Drejtues në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Kavajë.

Kryesuesja e trupit gjykues, gjatë verifikimit të prezencës së palëve, informoi se subjekti i rivlerësimit kishte paraqitur një kërkesë paraprake për shtyrjen e seancës, për shkak të gjendjes shëndetësore të avokatit të tij, njoftoi sot Komisioneri Publik.

Subjekti i rivlerësimit, me kërkesë të trupit gjykues, e rikonfirmoi edhe në seancë kërkesën e mësipërme, me arsyetimin se kërkonte të ushtronte të drejtën e përfaqësimit me avokat.

Komisioneri Publik, në qëndrimin e tij, e vlerësoi kërkesën të bazuar në aktet e lëshuara nga institucionet përkatëse shëndetësore, duke kërkuar paraprakisht nga trupi gjykues që, para se të dispononte mbi këtë kërkesë, të administronte proceduralisht deklarimin e vullnetit të subjektit të rivlerësimit për përfaqësimin me avokatin përkatës, gjatë këtij gjykimi, në Kolegjin e Posaçëm  të Apelimit.

Trupi gjykues, pasi administroi deklarimin nga subjekti i rivlerësimit, se në këtë gjykim do të bashkëpërfaqësohej me avokat, vendosi njohjen e tij si palë në gjykim dhe njoftoi shtyrjen e seancës më datë 23.2.2021, ora 10:00.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.