“Situata nga COVID-19 po ndiqet në mënyrë dinamike”/ Tomini: Masat e reja për shkak të rritjes së përhapjes 3 javët e fundit

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini, deklaroi sot se situata nga COVID-19 po ndiqet në mënyrë dinamike dhe masat e reja kufizuese u morën për shkak të rritjes së përhapjes në 3 javët e fundit.

Në një intervistë televizive Tomini theksoi se, “situata është vlerësuar në dinamikë përmes tre indikatorëve kryesorë si: rritja e pozitivitetit, rastet që kanë kërkuar trajtim spitalor dhe rastet më të rënda që kanë kërkuar trajtim reanimator dhe sigurisht që kanë pësuar vdekje një numër i caktuar prej i tyre”.

“Në bazë të këtyre tre indikatorëve, që janë në bazë të rekomandimeve të strukturave ndërkombëtare, Qendrës Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, situata nga ekspertët është vlerësuar në mënyrë dinamike, për vetë faktin se kapacitetet shëndetësore deri në këto momente janë në një alert të plotë dhe në një përballje korrekte përkundrejt shërbimit spitalor”, – tha Tomini.

Zv/ministrja Tomini u shpreh se, “kjo situatë e vlerësuar edhe me faktin që gjithmonë në situatën e fundjanarit e fillimshkurtit edhe në vitet e mëhershme kemi pasur për të njëjtën periudhë një përhapje të lartë të infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme, që është një element tjetër shtesë për sa i përket edhe sezonit. Sigurisht që forcojnë mendimin e rekomandimit të Komitetit të Ekspertëve për të ndërmarrë këto masa në kohë”.

Sipas saj, ky monitorim ka qenë në mënyrë dinamike, çdo ditë, por kohët e fundit është vlerësuar më me intensitet për shkak të përhapjes së rritur në mënyrë të përshkallëzuar.

Tomini theksoi se, “është vënë re një ulje e përgjegjshmërisë së popullatës kundrejt zbatimit të masave. U vu re dhe u konstatua që në festat e fundvitit një lirshmëri përkundrejt zbatimit të masave, duke filluar që nga maska që nuk mbahet në mënyrë efektive deri në grumbullimet masive, qoftë për shkak të festave, por edhe për turizmin e frekuentuar masivisht përkundrejt javëve të ftohta, kryesisht turizëm malor”.

“Duke vlerësuar përgjigjen e sistemit shëndetësor kundrejt rasteve ka qenë një situatë e monitoruar hap pas hapi dhe e pa nënvlerësuar. Situata nuk është neglizhuar në asnjë moment për t’u vlerësuar në mënyrë dinamike dhe për të ndërhyrë në momentin kur shikohet një tendencë e lartë, ashtu si dhe në rajon”, – shtoi Tomini.

Virusi, tha Tomini, ka pasur një tendencë luhatjesh sa i përket kurbës epidemike në vend dhe rajoni ka pasur një tendencë më të hershme kundrejt një pozitiviteti shumë të lartë, ndërkohë që Shqipëria zotëronte një mesatare më të ulët për sa i përket përhapjes javore. Tani po ndodh e kundërta, në disa vende të rajonit ka ulje të përhapjes, ndërkohë kemi rritje ne, Greqia apo Serbia”.

Sa i përket autobusëve urbanë, të cilët janë të mbushur plot në pjesën më të madhe të kohës, Tomini tha se të gjithë duhet të ndjekin protokollin dhe njerëzit duhet ta shmangin transportin publik në pikun e lëvizjes.

“Është i zgjedhur nga popullata, i detyrueshëm për atë grup që e kanë nevojë të përditshme. Ne kemi theksuar që të shmanget piku kur shkojnë ose kthehen njerëzit nga puna. Administratorët e biznesit duhet të ndjekin protokollin dhe për të mbajtur maskën, dhe kapacitetin. Duhet ta theksoj faktin që nuk janë shtrëngimet e fundit. Situata po ndiqet në mënyrë dinamike”, – tha Tomini./k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.