Masat anti-COVID/ Vasili: Komiteti Teknik i Ekspertëve, i shndërruar në një komitet politik

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili reagoi sot në lidhje me vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve sa i përket masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Me anë të një deklarate për mediat, Vasili tha se, “jeni njohur pak çaste më parë sërish me masa shtrënguese të reja, të një qeverie që, lidhur me pandeminë, nuk di të bëjë asgjë tjetër përveçse të hedhë barrën e ngarkesës dhe të përgjegjësisë te qytetarët, pa bërë asgjë konkrete për ta”.

“Është e qartë se këto masa që merren nga një Komitet Ekspertësh, i cili është shndërruar tërësisht në një komitet politik dhe jo më në një komitet teknik, të bazuar mbi shkencën, janë masa që nuk kanë ndihmuar aspak deri më sot pandeminë, por përkundrazi kanë bërë që ajo të thellohet dhe të arrijë në këto shifra kritike dhe alarmante, të cilat ishin paralajmëruar në mënyrë sistematike për muaj e muaj me radhë nga opozita”, tha Vasili.

Ai tha se, “shqiptarët kanë nevojë që mijëra shqiptarë që dergjen me patologjinë në banesë të rimbursohen 100 %, pasi financat e tyre nuk mbajnë më. 100 milionë euro kanë dalë nga xhepat e tyre”.

Vasili theksoi se, “në momentin më të vështirë të tyre shqiptarët u gjendën pa qeveri, pa kryeministër, përkundrazi u gjetën me disa shpërdorues, me disa grabitqarë që lekët klientëve të tyre ua nisin radhë, ndërsa shqiptarëve, të cilët nuk kanë për barna, mendoni për bukën e gojës, nuk u gjenden dhe sot e kësaj dite”.

Prandaj, shtoi Vasili, “çdo lloj mase shtrënguese e tyre është provë e paaftësisë dhe provë e mëtejshme që ata çdo përgjegjësi ua hedhin të tjerëve dhe nuk marrin asnjë përgjegjësi për veten e tyre”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.