COVID-19 – SHBA: Kina jotransparente, kërkojmë të shohim raportin e OBSH

UASHINGTON, 10 shkurt /ATSH-ANSA/ – Departamenti amerikan i Shtetit akuzoi Kinën se nuk kishte qenë transparente, të paktën deri tani, në lidhje me origjinën e koronavirusit.

Departamenti amerikan i Shtetit kërkoi që të ketë raportin e OBSH-së për ta analizuar nga ekspertët amerikanë.

“Është e qartë që kinezët, të paktën deri tani, nuk kanë ofruar transparencën e nevojshme për të cilën ne dhe komunitetit ndërkombëtar kemi nevojë që të mund të pengojmë këtë lloj pandemie të mos ndodhë më”, deklaroi zëdhënësi i departamentit të Shtetit, Ned Price në një komunikatë të publikuar në Twitter.

Pas një qëndrimi katër javor në Wuhan të Kinës, ekipi ndërkombëtar i ekspertëve kinezë dhe OBSH-së njoftoi sot se nuk kishin mundur të zbulonin origjinën e pandemisë së COVID-19 duke e konsideruar shumë të pamundur teorinë për një rrjedhje nga një laborator, por pa mundur të identifikonin kafshët si përgjegjëse të sëmundjes.

“Një transmetim i koronavirusit nga një kafshë e parë dhe më pas te një e dytë para një kontaminimi te njeriut është hipoteza më e mundshme”, theksoi Peter Ben Embarek, kreu i delegacionit të OBSH-së, i cili ndërmori një hetim në Wuhan, ”djepi” i epidemisë, në pjesën qendrore të Kinës.

“Kjo pistë kërkon gjithashtu më shumë kërkime shkencore dhe të synuara”, shtoi ai.

“Transmetimi nga një kafshë është i mundur, por kjo e fundit nuk është identifikuar ende”, deklaroi Liang Wannian, kreu i delegacionit shkencor kinez.

Që prej rasteve të para të COVID-19 në Wuhan, pandemia ka shkaktuar më shumë se 2,3 milionë të vdekur në botë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.