Ashpërsim i masave antiCOVID/ Kushi: Sezoni i provimeve më shumë se 45 ditë, mungesat të mos i penalizojnë studentët

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi u shpreh sot se, “në ato raste kur provimi i lëndës është e pamundur të zhvillohet “online”, për arsye të specifikave të lëndës, sipas vlerësimit të vetë universiteteve, provimi mund të zhvillohet në auditore, duke respektuar me korrektësi maksimale zbatimin e protokolleve antiCOVID.

Me anë të një deklarate drejtuar studentëve, pedagogëve dhe stafeve universitare, në lidhje me mënyrën e zhvillimit të provimeve të sezonit të dimrit, pas vendimmarrjes së sotme të Komitetit Teknik mbi masat e reja mbrojtëse antiCOVID-19, Kushi tha se se, “kohët e fundit, jo vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale, por edhe privatisht në numrin tim të telefonit, më kanë ardhur nga studentët çdo ditë qindra mesazhe për hapjen e auditoreve. Disave u jam përgjigjur, e disave të tjerëve ndjesë që nuk kam mundur dot. Por, dua t’ju them sinqerisht të gjithëve, që jo vetëm si Ministre, që kam përgjegjësinë madhore për t’ju shërbyer, por edhe si çdo prind e qytetar, që shqetësohet për edukimin e brezit të ri, i vlerësoj dhe i mirëkuptoj të gjitha mesazhet tuaja”.

Prandaj, nënvizoi ajo, “para pak ditësh, bazuar në kërkesat e vazhdueshme të studentëve dhe pedagogëve, si dhe pas një takimi të gjatë me rektorët e të gjitha universiteteve, publike dhe jopublike, i kam drejtuar një kërkesë Komitetit Teknik të Ekspertëve, për të vlerësuar propozimet e tyre mbi mënyrën e zhvillimit të provimeve të sezonit të dimrit”.

“Që në fillim, dua të falenderoj maksimalisht të gjithë anëtarët e këtij Komiteti, të cilët me shumë mirëkuptim dhe përkushtim, iu përgjigjën pozitivisht shqetësimeve tona të përbashkëta lidhur me një proces kaq të rëndësishëm siç është përmbyllja e një semestri akademik. Besoj fort që ky është një hap pozitiv për të lehtësuar sadopak efektet që pandemia COVID-19 ka shkaktuar në sistemin tonë arsimor, ashtu si në shumë sektorë të tjerë edhe në mbarë globin”, tha Kushi.

Prandaj, theksoi ajo, “që nga ky moment, duke qenë se përgjegjësia jonë e përbashkët është shumë e lartë, për të garantuar një proces të rregullt, ku natyrisht prioriteti absolut është shëndeti dhe jeta e gjithsecilit, do të kërkoja nga të gjitha universitetet, së pari, në ato raste kur provimi i lëndës është e pamundur të zhvillohet “online”, për arsye të specifikave të lëndës, sipas vlerësimit të vetë universiteteve, provimi mund të zhvillohet në auditore, duke respektuar me korrektësi maksimale zbatimin e protokolleve antiCOVID”.

“Së dyti, universitetet të shohin mundësinë për t’i dhënë të drejtën studentëve të vendosin nëse do të marrin pjesë apo jo në këtë sezon, në varësi të mundësisë apo pamundësisë të tyre për arsye që lidhen me pandeminë. Të gjithë studentëve që nuk do të marrin pjesë në këtë sezon, t’u ofrohet mundësia e një sezoni shtesë të ndërmjetëm, në varësi të përmirësimit të situatës së pandemisë”, u shpreh Kushi.

“Së treti, sugjerojmë që kohëzgjatja e sezonit të jetë më shumë se 45 ditë, për të mundësuar distancë midis provimeve dhe për të parandaluar mbipopullimin e mjediseve të universiteteve. Kjo do t’i ndihmojë edhe studentët që të kenë më shumë kohë për t’u përgatitur në këto provime”, tha Kushi.

“Së katërti, sugjerojmë që mungesat e studentëve në leksionet apo seminaret “online” të mos i penalizojnë ata për pjesëmarrje në provime, duke vlerësuar vështirësitë objektive që mund të kenë pasur një pjesë e studentëve gjatë kësaj periudhe”, u shpreh Kushi.

“Së pesti, e konsideroj shumë të rëndësishme të sjell edhe një herë në vëmendjen tuaj garantimin e kushteve për të minimizuar riskun e infektimit për studentët, pedagogët dhe të gjithë stafet universitare. Kjo nënkupton që ndarja e studentëve të bëhet në grupe dhe orare të ndryshme. Numri i studentëve në sallë të jetë jo më shumë se 15 veta, duke garantuar distancën e nevojshme. Kohëzgjatja e provimeve të jetë jo më shumë se një orë. Mbajtja e maskës të jetë e detyrueshme. Higjienizimi i mjediseve të bëhet në mënyrë të vazhdueshme dhe sidomos për sallat, para dhe pas çdo provimi”, tha Kushi.

Natyrisht, u shpreh ministrja, “që çdo universitet, sa më shpejt të jetë e mundur, duhet të përgatisë një rregullore më të detajuar për të gjithë studentët dhe pedagogët, në mënyrë që të garantohet mbarëvajtja e këtij procesi”.

“Së fundmi, duke i njohur shumë mirë të gjitha sfidat dhe vështirësitë e mësimit “online”, i jam thellësisht mirënjohëse çdo studenti e pedagogu për të gjithë durimin dhe sakrificën e treguar deri më tani. Shpresoj shumë që kjo dritë jeshile, që na hapi sot Komiteti i Ekspertëve, të na japë më shumë optimizëm, mirëkuptim dhe solidaritet për të përballuar situatën. Duke ju falenderuar edhe një herë të gjithëve, ju uroj sa më shumë suksese për një sezon të mbarë provimesh dhe mbi të gjitha shëndet për ju dhe familjet tuaja”, përfundoi Kushi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.