“Transmetimi më i lartë i infeksionit në bare dhe restorante”/ Tomini: Ende s’ka ardhur përgjigjja e mostrave për mutacionin e COVID-19

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ “Transmetimi më i lartë i infeksionit bëhet nëpër bare dhe restorante, në tregje dhe për shkak të mosmbajtjes së maskave e mosrespektimit të masave shtrënguese”.

Kështu deklaroi Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini gjatë një interviste televizive ku theksoi moszbatimi i masave antiCovid nga qytetarët ka sjellë rritjen e numrit të të infektuarve.

“Ndërveprimi njerëzor është më i theksuar si bizneset baret  restorantet por edhe tregjet  janë vendet ku kemi ndërveprim njerëzor dhe individual. Një ulje e ndërgjegjësimit për të mos mbajtur maska apo moszbatuar protokollet, kanë bërë që të kemi një rritje të transmetimit të infeksionit dhe rritje të pozitivitetit”, tha Tomini.

Mbi variantet e reja të COVID Tomini deklaroi se ende nuk kanë ardhur përgjigjet e mostrave të para të dërguara në vendet fqinje. Sipas saj janë disa dyshime për shkak se po rriten infeksionet tek moshat e reja.

“Indicjet për qarkullimin e llojit të ri janë vlerësuar nga ekspertët pranë ISHP, por duke vlerësuar dhe prekjen e grupmoshës së re dhe asaj aktive janë disa indicje për të demonstruar dhe për të vënë në vigjilencë se mund të kemi qarkullim të variantit të ri. Ende s’kanë ardhur rezultatet, kur të vijnë do bëjmë me dije rezultatin”, tha ajo.

Mbi kapacitet spitalore të spitaleve COVID, Tomini tha se ende nuk janë ezauruar, ndërsa theksoi se janë në gatishmëri edhe spitalet rajonale.

“Strukturat tona janë mobilizuar që në fillim të pandemisë. Kapacitetet aktuale janë të paezauruar në nivel qendror, por edhe spitalet rajonale janë në dispozicion”, përfundoi Tomini.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.