Metani takim me inspektorët e rinj të ILD-së: Ekipi po plotësohet

TIRANË, 8 shkurt/ATSH- A. Fortuzi/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani priti sot 8 inspektorë të rinj, që bëhen pjesë e stafit të zyrës së ILD-së.

Janë 4 inspektorë magjistratë-prokurorë të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe 4 inspektorë jomagjistratë, pjesë e procesit të rekrutimit nga Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që i bashkohen të vetmes inspektore magjistrate, që ILD ka patur gjatë këtij vitit të parë të ekzistencës së vet.

Gjatë bashkëbisedimit me inspektorët e rinj, Metani shprehu kënaqësinë, që ekipi i inspektorëve nis të plotësohet, një domosdoshmëri kjo, nisur edhe nga numri i lartë i ankesave të marra gjatë këtij viti ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, por edhe të trashëguara nga institucionet e tjera.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë nënvizoi nevojën që Zyra e ILD-së, të ketë në përbërje edhe inspektorë magjistratë gjyqtarë, si pjesë e procesit të punës, por edhe balancës mes inspektorëve magjistratë me ata jomagjistratë. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.