Me mijëra njerëz po marrin shërbimin e duhur në spitale, sistemi funksionon më së miri

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot rolin e medies për çdo denoncim të rasteve të abuzimeve në spitale, sidomos në kushtet kur ende nuk është reformuar sistemi i drejtësisë por, vuri në dukje ai, duhet paraqitur edhe ana tjetër e medaljes, dhe nuk duhet përbaltur puna e madhe që po bëjnë mjekët e infermierët në spitale.

“Denoncimi i pak ditëve më parë nga emisioni “Stop’ përbën arsye për t’u ndjerë jo mirë, apo edhe keq, ku përmes medieve janë shfaqur raste, të cilat nuk i bëjnë nder sistemit tonë shëndetësor. Kulmi ishte rasti i sanitares, e cila ishte sjellë si një monstër e vërtetë duke mashtruar një familje të tërë për të përfituar para”, tha Rama gjatë një konference për shtyp me fokus shëndetësinë.

Kryeministri u shpreh se duke i nxjerrë në pah këto raste ke dhënë një kontribut të madh në fakt për ti adresuar, qoftë kur rasti është i natyrës kriminale, si rasti në fjalë, qoftë kur nuk është i natyrës kriminale, por problematike lidhur me administrimin e zbatimin e rregullave apo çfarëdo qoftë që përbën kompleksin e shërbimit shëndetësor.

Por ndërkohë, shtoi ai, janë me mijëra njerëz që marrin shërbimin e duhur, që ndërkohë sistemi funksionon më së miri për shumicën dërrmuese të rasteve e njerëzve, për derisa shifrat e faktet e thonë këtë, pasi numri i atyre që shkojnë në spital e dalin të shëruar është i konsiderueshëm që do të thotë se është përgjegjësi e madhe.

“Në kushtet ku jemi, ku psikologjia shoqërore është e brishtë, sepse nuk flasim për një grip, përveç fenomeneve të tilla, për një çështje që lidhet me interesin e çdo njeriu që prek çdo mendje, sepse lidhet drejtpërdrejt me shëndetin, në një mënyrë apo tjetër duhet të dalë në pah edhe ana tjetër e medaljes. Flasim për jetën e sigurinë dhe mendoj se mjekët e infermierët meritojnë të vihen në piedestal e jo të ndjehen të shkelur me këmbë nga sulmet dhe nga mënyra si ekspozohet vetëm njëra anë e medaljes që duhet adresuar dhe është shumë më pak se ana tjetër”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama theksoi se janë 65 mijë operacione që bëhen në Shqipëri çdo vit, plus ndërhyrjet miniinvazive shkojnë në 90 mijë. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.