Marrëveshja për aeroportin ‘’Nënë Tereza’’/Balla: Ulen çmimet e biletës, 99 milionë dollarë investime

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u ndal sot në Kuvend te projektligji për marrëveshjen e re të koncesionit për aeroportin “Nënë Tereza’’ në Rinas, duke theksuar tre elementë, që sipas tij, kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët shqiptarë.

Në fjalën e tij, Balla theksoi se, “me këtë kontratë kemi mundësi të ulim çmimin të biletës për tarifën që i takon aeroportit në 20 % për udhëtarët mbi 18 vjeç dhe 40 % për fëmijët, duke e sjellë aeroportin e Tiranës, ‘Nënë Tereza’ pothuajse në çmime të përafërta të biletës me vendet fqinje”.

Balla u ndal edhe tek rëndësia e investimeve në këtë aeroport, duke theksuar se në momentin që thua që në 13 vite do të investosh 99 milionë dollarë i bie një shifër goxha e madhe investimi në çdo vit”.

“Nëse e shohim nga ndryshimi i fundit i kontratës që është bërë nga qeveria e Lulzim Bashës dhe e Sali Berishës, asokohe kur ajo qeveri ndryshonte kontratën nuk vinte asnjë lloj kushti për investime të reja. Qeveria jonë jo vetëm që ndryshon kontratën me qëllime uljen e çmimit të biletave, por vendos kush për investime. Këto investime prej 99 milionë dollarësh jo vetëm do të rrisnin kapacitete sepse synohet që aeroporti i Rinasit të kthehet në një hap të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë dhe turizmin në Shqipëri, por dhe më shumë se kaq. Ajo që është më e rëndësishmja dhe që në këtë sallë kemi pas shumë herë diskutime që nga dita kur kemi dashur të kthejmë në funksionale aeroportin e Kukësit, të rrisim kapacitetet tona turistike në Vlorë përmes aeroportit të Vlorë, po pse jo edhe atë të Sarandës, me kontratën ekzistuese të koncesionarit ne e kishim të pamundur, sepse kontrata e vjetër ka qenë një kontratë monopoli shfrytëzimi ajror në Shqipëri”.

“Nëse i marrim këto argumente, është një hap që duhet përgëzuar. Kalimi i koncesionarit nga një operator te një tjetër është një çështje që e përcakton tregu, por ne jemi në kushtet kur sot kemi bërë tri gjëra të rëndësishme nga ato që njerëzit i prekin drejtpërdrejtë. Besoj që edhe kryetari i opozitës rrugore Lulzim Basha, si një frekuentues i rregullt i linjës Amsterdam-Tiranë-Amsterdam, duhet të jetë i kënaqur me këtë ulje të drejtpërdrejtë të tarifave”, tha Balla.

“Por nuk më intereson aspak për Lulin, sa më intereson për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë territorit dhe që duan të kthehen për pushime, që duan të shohin prindërit e tyre apo që duan t’i marrin ata”, tha Balla. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.