Vokshi: Rritjen e infektimeve në shkolla, s’ka një platformë funksionale për mësimin online

TIRANË, 7 shkurt/ATS/- Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi deklaroi sot se “një vit pas pandemisë, qeveria nuk ka dhënë asnjë qindarkë shtesë dhe nuk marrë masat më minimale të sigurisë në shkolla apo për mësimin online”.

Ajo tha se “këtë javë, kam marrë me dhjetëra mesazhe nga mësues të shqetësuar për rritjen e infektimeve në shkolla”, duke shtuar se ky është dështim Ramës.

“Mësuesve nuk u bëhet tamponi apo testi serologjik, në shkolla nuk ka maska, alkool, dezinfektant, termometra. Nuk ka një platformë funksionale për mësimin online. Shkollat nuk kanë internet. Mësues nga Tirana na tregojnë se detyrohen të punojnë nga lokalet përreth shkollave me mjetet e tyre. Shumë nxënës nuk kanë pajisje për të mësuar online, ndërsa ata që jetojnë në zona periferike apo rurale nuk kanë as energji elektrike”, thA Vokshi.

Ajo tha gjithashtu se “Ministria e Arsimit ka nxjerrë grupe monitorimi për mësimin, përfshi atë online. Nga njëra anë, nuk u paguan mësuesve as orët shtesë, nuk u siguron kushtet minimale, nuk u bën as trajnim për të ashtuquajturën platformë dixhitale, nga ana tjetër, përmes kontrolleve të tilla abuzive qeveria shton presionin psikologjik ndaj mësuesve”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.