ITALI – Speranza: Kujdes maksimal, ende nuk kemi shpëtuar nga rreziku COVID-19

ROMË, 7 shkurt /ATSH-ANSA/ – Ne kemi nevojë për maturi maksimale në të gjithë vendin, nuk duhet të dëmtojmë përparimin e bërë në javët e fundit, rezultat i sakrificave të mëdha deri më tani, paralajmëroi sot ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

“Zona e verdhë nuk do të thotë se kemi shpëtuar nga rreziku i virusit. Ai është ende në qarkullim dhe rreziku, gjithashtu për shkak të varianteve, mbetet i lartë”, postoi kreu i shëndetësisë në Facebook.

“Tani për tani, nuk ka dalë ndonjë provë shkencore për nevojën e ndryshimit të masave, të cilat mbeten po ato tashmë në përdorim: maska, distancimi shoqëror dhe higjiena e duarve”, paraqiti ISS në raportin e saj për variantet e koronavirusit të ri.

Sipas institucionit, mundësia e rënies në kontakt me një variant të COVID-19 duhet të induktojë në çdo rast maturi të veçantë dhe respektim të rreptë të masave të mbrojtjes.

ISS sqaroi, gjithashtu, se për të qenë në gjendje të dallohet nëse një infeksion përcaktohet nga një variant, kërkohet një test specifik shumë i specializuar, që quhet sekuencë, ku përcaktohet përbërja e saktë e gjenomit të virusit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.