Pasiguria e krijuar për shkak të pandemisë/ Depozitat u rritën me 85 miliardë lekë gjatë 2020-ës

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Pasiguria e krijuar për shkak të pandemisë së virusit Sars-Cov 2, ashtu si dhe masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së tij, kanë bërë që qytetarët të jenë më të kujdesshëm në shpenzimet e tyre, duke rritur kështu depozitat e tyre.

Referuar të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë depozitat shënuan rritje të ndjeshme në vitin 2020.

Stoku i kursimeve në vend arriti në 1.112 trilionë lekë, që është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Në raport me vitin 2019 depozitat u rritën me rreth 8 %, ose 85 miliardë lekë. Në krahasim me muajin shkurt, që përkon me periudhën para pandemisë, kursimet në banka janë shtuar me rreth 70 miliardë lekë.

Referuar të dhënave, depozitat në monedhën vendase u rritën me rreth 11 % në 2020-ën. Shtimi i depozitave në lekë me rreth 51 miliardë lekë, shënoi nivelin më të lartë prej vitit 2007.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.